English

Kriza në Greqi, përmbysje të mëdha në tregun e punës

Athinë, 1 Tetor, DW – Kriza sjell varfëri dhe çrregullim të marrëdhënieve të punës. Punëdhënësit po abuzojnë, preferojnë punësimin sezonal, të pjesshëm e me orar të "reduktuar, apo ulin pagat duke u imponuar punonjësve një status mesjetar

Qeveria mund t'i ketë “shpallur luftë”, siç thotë, punës në të zezë për të mbushur dhe arkat e saj bosh, që deri në fund të vitit duan edhe 20 miliardë euro të tjera, por tregu i punës duket se vazhdon avazin e vet.

“Me këtë papunësi të madhe, nga 50 euro 40 do të të japë. Po deshe, armata është e madhe”, thotë imigranti Kujtim Bitri, i cili duket sikur është pajtuar me punën pa siguracion në një magazinë dhe, siç thekson, e konsideron veten e tij me fat. Vërtet me krizën e thellë puna në të zezë nuk konsiderohet më si mëkat i madh, ose të paktën si mëkat i vetëm. “Njerëzit ndjehen të pasigurt. Asnjë nuk flet në punë për të drejtat e tij. Kanë frikë se lirohen nga puna. Punojnë dhe me orar të zgjatur dhe bile pa u paguar, e dëgjoj përditë në rrethin tim shoqëror dhe familjar”, thotë Sofia Deligjani, e papunë që prej 8 muajsh, duke përcjellë kështu shqetësimin e saj të thellë.

Punëdhënësit abuzojnë me krizën

Pa kaluar as dy muaj nga ligji i ri për marrëdhënie punësimi më fleksible dhe punonjësit po vuajnë pasojat me shkurtime rrogash, punë jashtë orarit të papaguar, kontrata gjithnjë e më të reduktuara, por edhe lirime masive deri në cakun e lejueshëm 5% të personelit, që punëdhënësit e fituan me ligjin e fundit dhe nuk mungojnë ta ezaurojnë. Panajotis Ifantis, analist i çështjeve të punës, sheh një “fazë tranzicioni” tek fenomeni i punësimit, ku sipas tij “afaristët duan të ruajnë fitimet dhe punonjësit vendet e punës”. “Por në këtë fazë shumë afaristë duket se zgjedhin rrugën e lirimit të personelit permanent dhe zëvendësimit të tij me punonjës, ose të pajtuar me orë pune, ose të pasiguruar” thotë Ifantis, i cili i pyetur se sa real është denoncimi i tipit sindikalist për rikthim me pretekstin e krizës në “status mesjetar punësimi” përgjigjet:

“Mendoj se shumë vështirë mund të thotë dikush të kundërten”, thekson dhe sjell si shembull shtrirjen gjithnjë e më të madhe të fenomenit të qiramarrjes së punonjësve në fushën e turizmit.

Tabllo e zymtë punësimi në degën e turizmit

“Viktima të volitshme” i cilëson punonjësit e fushës së turizmit kryetari i Federatës Panhelenike të Punëtorëve të Ushqimit dhe Nënpunësve të Turizmit Leonidhas Karathanasis, i cili përshkruan në mikrofonin e DW një tablo të zymtë punësimi në këtë degë. “Kemi shkelje të kontratave të përgjithshme të punës, raste të shumta mospagimi konform kontratave, shkelje të dispozitave të punës me reduktimin e ditëve dhe orëve të punës, punë jashtë orarit të papaguar dhe abuzime me praktikantët me pagesa ofenduese”, thotë Karathanasis pa fshehur shqetësimin e tij për pasojat, që do të ketë një status i tillë “në cilësinë e produktit të turizmit, të kësaj dege bazë të ekonomisë”.

Rreziku i shfuqizimit të kontratave

Punonjësit kanë frikë se e keqja më e madhe, me shkallmim të plotë të statusit të punës, mund të vijë me shfuqizimin e kontratave të përgjithshme dhe sektoriale, siç la të kuptohet vetë ministrja e Punës dhe Siguracionit Social Lluka Kaceli. Një gjë e tillë do të lirojë plotësisht duart e punëdhënësve, që abuzojnë ndërkohë me situatën dhe përpiqen që koston e reformave t'ua faturojnë vetëm punonjësve.

“Punëdhënësit janë bërë veçanërisht të shkathët. Nuk lirojnë, por shndërrojnë punësimin e përhershëm në punësim të pjesshëm, në masën 60%”, thotë kryetari i Qendrës së Punëtorëve të Kavallës, Panajotis Tiakas, i cili sheh te konsensusi i punonjësve frikën e humbjes së vendit të punës.

Ata, që nuk kanë frikë janë vetëm punëdhënësit, që në një masë të madhe vazhdojnë të shkelin ligjin pa pyetur për pasojat. 6.9 milionë euro gjoba vendosi Inspektoriati Shtetëror i Punës nga kontrollet e tij në 19.639 biznese që nga muaji shkurt. Sipas tij një në çdo katër vendas dhe një në çdo tre imigrantë punojnë në të zezë.

Deutsche Welle

KOMENTE