Gjirokastër, 1 Tetor, NOA - Një kontrollore pranë drejtorisë Rajonale të Inspektoriatit të Punës në Gjirokastër, është arrestuar në flagrancë pasi mori në formë ryshfeti shumën prej 1 milion lekësh të vjetra një qytetari.
Ngjarja konfirmohet prej burimeve të policisë të Gjirokastrës, sipas të cilave, ajo ka rënë në pranga në kuadrin e një operacioni të koduar me emrin “Gjoba”, ndërsa tashmë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma e lekëve prej 1 milion lekësh.
Këtë herë, në kuadrin e goditjes së një tjetër rasti të korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike, viktima ka qenë 37-vjeçarja me inicialet D.M, lindur dhe banuese në Gjirokastër me detyrë kontrollore pranë Inspektoriatit të Punës.
Arrestimi i saj u bë për arsye se ajo rreth një muaj më parë i kishte vendosur një gjobë në shumën prej 5 milion lekë të vjetra një subjekti privat në Gjirokastër “Prodhim Mobiljesh” për mosrespektim të rregullave teknike të punës.
Më pas, zyrtarja e lartpëmendur i ka kërkuar pronarit të mobilerisë që t’i jepte në formë ryshfeti shumën prej 1 milion lekësh të vjetra për t’ia anuluar gjobën.
Pronari i mobilerisë e ka denoncuar këtë fakt pranë sektorit kundër krimit financiar në Policinë e Gjirokastrës.
Prej tre javësh, duke përdorur metodat speciale të hetimit, u arrit që dje në mbrëmje, në një lokal të Gjirokastrës, të realizohej dhënia e sasisë së lekëve dhe më pas arrestimi i saj në flagrancë.
Materialet i kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme për veprën penale të “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
n.e/NOA