Shkup, 1 Tetor, NOA – Opozita maqedonase e udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate (LSDM) nga muaji i ardhshëm do të fillojë protesta antiqeveritare.
Krerët e LSDM-së kanë paralajmëruar se protesta e parë do të nis me 11 tetor në Prilep, duke u ndërlidhur me një simbolik se ky qytet konsiderohet si një nga vendet kryengritëse kundër okupatorit gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në këtë manifestim do të marrin pjesë edhe kreu i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, ndërsa do të jenë të pranishëm edhe krerët e partive tjera më të vogla opozitare.
Nga kjo parti theksojnë se protestat kanë të bëjnë me një revoltë kundër qeverisjes së keqe të VMRO-DPMNE dhe kryeministrit Nikolla Gruevski.
Lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski deklaroi për Alsat-M se partia që drejton ai dhe koalicioni opozitar do të bëjë përpjekjet maksimale që me të gjitha mjetet demokratike dhe legjitime t’a rrëzoj Gruevskin dhe qeverinë e tij nga pushteti.
“Të zgjidhim problemin më të madh të këtij vendi, që quhet Nikolla Gruevski dhe VMRO DPMNE. Kjo është përgjegjësia jonë, detyrë jonë... e përsërisë, me mjete legjitime demokratike. Në rast se duhet në parlament, do të jetë beteja në parlament, në rast se duhet në debate televizive, debate televizive. Në rast se nevojiten protesta në rrugë... Kjo është betejë politike dhe është legjitime, asgjë kundër kushtetutës dhe ligjeve“ deklaroi Cërvenkovski.
Partia VMRO-DPMNE dhe partitë shqiptare nuk kanë komentuar ende paralajmërimet e opozitës për protestat masive.
NOA-INA