English

PD: Edi Rama dy muaj që hesht, “Lepri” fshihet në bashki

Tiranë, 1 tetor, NOA – Partia Demokratike i ka kërkuar rishtas prokurorisë të hetojë dhe të zbardhë aferën korruptive me lejet e ndërtimit në Tiranë, të realizuar nga kryebashkiaku Edi Rama, një aferë që i ka sjellë atij përfitimin e plot 100 milionë eurove, për projektin e ndërtimit të pallateve 35 katësh te diga e Liqenit Artificial.

Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi në një konferencë shtypi deklaroi se Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka mëse dy muaj që hesht lidhur me akuzat e lëshuara ndaj tij nga dy investitorë që në kontratën e lidhur me bashkinë i detyroheshin sekserit Dritan Avllaj, i njohur si Tan Lepri dhe sekseri i Edi Ramës, plot 20% të aksioneve, në këmbim të planit të ndërtimit tek Diga e Liqenit.

“Prej dy muajsh, shqiptarët janë njohur gjithashtu, se pas përfitimit të 20% të aksioneve nga sekseri Tan Lepri, Edi Rama ka firmosur planin luksoz të ndërtimit, që do t’i jepte atij 100 milion euro përfitim”, tha deputeti demokrat.

Sipas deputetit Boçi, kjo shumë marramendëse, sipas kontratës prej 20% do të përfitohej nga plani i Bashkisë së Tiranës për lartësimin e ndërtimeve në kulla 35 katëshe.

Ndërsa prokuroria mësohet se ka nisur kërkmet e sekserit Dritan Avllaj, deputeti demokrat i ka kërkuar rishtaz kryebashkiakut Rama të nxjerrë leprin nga Bashkia e Tiranës.

“Si deputet, i kërkoj Prokurorisë të mos bjerë pre e presionit të Leprit si dhe të hetojë mega-aferën 100 milionëshe të Leprit të Bashkisë”, i bëri thirrje organit të akuzës, deputeti i PD-së, Luçiano Boçi.

mit/NOA
KOMENTE