English

PE refuzon, PDK i kërkon Berishës të dalë nga Konferenca Islamike

Tiranë, 1 tetor, NOA – Partia Demokristiane e Shqipërisë ka përshendetur sot vendimin e Komisionit për Liritë Civile, Drejtësi dhe Punët e Brendshme të Parlamentit Europian për miratimin e rezolutës për heqjen e vizave me Shqipërinë në zonën Shengen duke e ftuar kryeministrin Sali Berisha të korrigjojë një ndër gabimet më të rënda të karrierës së tij politike, të ç’anëtarësojë Shqipërinë nga Konferenca Islamike dhe të merret seriozisht me ato, që i interesojnë të gjithë shqiptarëve pa dallim feje.

Edhe pse komisioni për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Punët e Brendshme në Parlamentin Evropian hodhi poshtë propozimin e europarlamentarit hollandez Van der Stoep që heqja e vizave për Shqipërinë të kushtëzohej nga ikja e Shqipërisë nga Konferenca Islamike, duke votuar me 49 vota propozimin e europarlamentares Tanja Fajon, në një komunikatë për mediat Partia Demokristiane i fton qytetarët e Shqipërise ta vlersojnë me seriozitet dhe përgjegjësi këtë vendim të rëndësishëm për të ardhmen e tyre, duke reflektuar thellë ndaj vërejtjeve dhe në veçanti ndaj votës kundër, që erdhi nga europarlamentari hollandez Van Der Stoep.

PDK, mendon se ”Anëtarësimi i Shqipërisë në Konferencën Islamike, një nismë e ndërmarrë nga Presidenti i fundit komunist, Ramiz Alia dhe e përfunduar nga ish presidenti Sali Berisha, është nisma më e parëndësishme përballë kritereve, që i nevojiten Shqipërisë në procesin e integrimit”.

Sipas PDK-së, të gjithë Shqiptarët kanë të drejtë ta ushtrojnë besimin e tyre, ta respektojnë besimin fetar të njëri-tjetrit siç kanë bërë gjithmonë, por është e padrejtë sipas kësaj partie që Shqipëria vazhdon të konsiderohet vend musliman nga përfaqësuesit politikë të Europës dhe institucionet e tjera ndërkombëtare.

Duke lënë mënjanë statistikat që thonë se 70 përqind e popullsisë shqiptare janë muslimanë, PDK, gjykon se “Shqipëria muslimane” është një përceptim i gabuar, sipas PDK-së i krijuar nga rrethanat historike dhe politikat e mbrapshta të politikanëve shqiptarë antieuropianë.

”Shqipëria është ndër vendet e para në Europë që përqafoi besimin e Krishterë dhe është një perandor Ilir, Konstandini i Madh, që e shndërroi Krishtërimin në fenë zyrtare të Europës”, thekson Partia Demokristiane, duke shtuar se tashmë nuk duhet të përdoren statistikat e hartuara nga mbetjet e Perandorisë Osmane në fillim të shekullit të njëzetë, sipas të cilave Shqipëria etiketohet se vend musliman.

Partia Demokristiane siguron se ”do të bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme, duke bashkëpunuar ngushtë me faktorin politik, shoqërinë civile, intelektualët për daljen e Shqipërisë nga Konferenca Islamike, duke dëshmuar vullnetin e palëkundur për të qenë pjesë integrale e Europës së Bashkuar”, kontinenti, që në vitet e globalizmit respekton brenda vetes të gjitha kulturat kombëtare, lindore dhe perëndimore, të cilat bashkëjetojnë duke respektuar vlerat e ndërsjella qytetëruese.

mit/NOA

KOMENTE