English

Projekti “Wireless for U”, internet në sheshet e Tiranës

Tiranë, 1 Tetor, NOA –Dashamirësve të natyrës, të cilët nuk duan të heqin dorë nga teknologjia, Bashkia e Tiranës ka menduar t’u ofrojë projektin "Wireless for U", nisma më e re për të rinjtë dhe të rejat, duke iu bashkangjitur kështu qyteteve evropiane të cilat e aplikojnë këtë shërbim modern.

Parku ”Ali Demi” është hapësira tjetër publike që Bashkia e Tiranës ka menduar të verë në dispozicion të komunitetit, kryesisht të rinjve me qëllimin përdorimin e Internetit në oraret e pasdites, pse jo shoqërizimin, krijimin e hapësirave miqësore dhe përdorimin e teknologjisë së komunikimit por në veçanti, edhe favorizimin e kohezionit social ndërmjet tyre.

“Në këtë hapësirë publike tërësisht të transformuar, në shërbim të komunitetit, ne shtojmë sot një element tjetër që besoj do t’i kënaqë të gjithë të rejat dhe të rinjtë e zonës në mënyrë të veçantë. Është shërbimi i internetit pa kabëll që do të thotë që mjafton një laptop dhe një kohë dashamirëse për të pasur aksesin në Internet dhe për të lundruar në mbarë botën e kuriozitetit, të dijes, të informacionit. Ky është një plan që ne do ta shtrijmë edhe në të tjera hapësira komunitare, duke i dhënë mundësi të rejave dhe të rinjve në mënyrë të veçantë, dhe të gjithë atyre që dëshirojnë të lundrojnë në Internet, në qiell të hapur duke u gëzuar njëkohësisht edhe kohës së lirë, ta bëjnë këtë pranë zonës së tyre të banimit dhe në shoqërinë e të tjerëve”, - shpreh kryebashkiaku Rama.

Projekti ka për qëllim ofrimin falas të shërbimit të Internetit - Wireless në disa nga sheshet, parqet dhe lulishtet e qytetit, të cilat falë investimeve të Bashkisë së kryeqytetit janë vënë tërësisht në dispozicion të komunitetit, si hapësira ku mjaft qytetarë kalojnë qetësisht kohën e tyre të lirë, por që tashmë do të kryejnë edhe një funksion tjetër.

Projekti do të vijojë të aplikohet në disa nga sheshet dhe lulishtet e kryeqytetit ku Bashkia e Tiranës ka investuar për përmirësimin e infrastrukturës e si rrjedhojë edhe rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët, si parku ”Ali Demi”; sheshi ”Shtraus”; sheshi ”Garibaldi”; lulishtja pranë stadiumit ”Selman Stermasi” dhe zona e amfiteatrit tek Parku i Madh i Liqenit.

Në sajë të "Wireless for U" dhe teknologjive moderne në shërbim të qytetarëve, Bashkia e Tiranës do të mund të përmirësojë edhe më tej nivelin dhe cilësinë e këtyre hapësirave aq të nevojshme publike, duke u shërbyer të rinjve në shfrytëzimin e teknologjive të reja të komunikimit falas, nga ora 17.00 e pasdites deri në orën 21.00. Ndërkohë, instalimi i pajisjeve është mundësuar falë bashkëpunimit të Bashkisë me kompaninë e telefonisë Albtelecom.

n.e/NOA

KOMENTE