Tiranë, 1 Tetor, NOA – “A kujton vërtet Ilir Meta se ka mbetur shqiptar që u beson gënjeshtrave që ai nxjerr nga goja? Në kulmin e skandaleve të korrupsionit, Ilir Meta mburret me pastërtinë e qeverisë”.
Kështu ka deklaruar sot anëtarja e Asamblesë së Përgjithshme të Partisë Socialiste, Megi Ajtyresa, menjëherë pas deklaratave të zv/kryeministrit Meta për qeverisjen, duke i kujtuar atij se pikërisht, një ministër i partisë së tij e akuzoi qeverinë për korrupsion.
“Një deputet i kësaj mazhorance u largua dje se nuk mund të duronte më korrupsionin e kësaj qeverie”, tha ajo duke përmendur largimin e deputetit Paulin Stërkaj nga grupi parlamentar i PD-së.
Sipas Ajtyrezës, ministra e deputetë, duke filluar nga Bregu, Vokshi, Ruli, Bulku e plot e plotë të tjerë, janë deri në fyt të zhytur në korrupsion. “Këto gënjeshtra Meta t’ia thotë dikujt tjetër, se s’ka shqiptar më që e beson këtë njeri”, përfundoi deklaratën e saj, përfaqësuesja socialiste.
n.e/NOA