English

Topi-Wu Banguo: Të forcohet dialogu me Kinën

Shangai, 1 Tetor, NOA – Në kuadër të vizitës së tij në Kinë, presidenti i Republikës, Bamir Topi, u prit sot nga kryetari i Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Popullore të Republikës së Kinës, Wu Banguo, me të cilin pati një takim të ngrohtë e miqësor.

Dy personalitetet e larta shtetërore vlerësuan gjatë bisedës klimën mjaft të mirë të bashkëpunimit që ekziston midis dy vendeve tona, si dhe nivelin e kënaqshëm të dialogut politik dhe shkëmbimit të vizitave të rangjeve të larta.

Në këtë kuadër, u vu në dukje rëndësia e vizitës së presidentit Topi dhe pjesëmarrja e tij në “Ekspo Shangai 2010”, si një pikë kulmore e marrëdhënieve midis dy vendeve, që i kontribuon konsolidimit e thellimit të tyre të mëtejshëm.

Në këtë takim, Topi nënvizoi faktin se niveli aktual i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë ka krijuar premisa për intensifikimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve reciproke në të gjitha fushat edhe në të ardhmen.

“Ne vlerësojmë si të rëndësishëm forcimin e dialogut ndërshtetëror me Kinën në të gjitha nivelet”, - u shpreh ai dhe në këtë kontekst të dy bashkëbiseduesit vunë në pah veçanërisht dialogun ndërparlamentar, si një fushë të rëndësishme bashkëpunimi në funksion të vazhdimësisë së dialogut politik midis dy vendeve, të cilat kanë bashkëpunuar me sukses edhe në kuadër të organizmave ndërkombëtare.

Në vijim, kryetari i shtetit shqiptar vlerësoi se në marrëdhëniet dypalëshe ekziston tashmë një bazë solide për nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit të vazhdueshëm e të frytshëm mes Shqipërisë e Kinës, veçanërisht në fushën ekonomiko-tregtare.

Në këtë drejtim, presidenti Topi nënvizoi se pjesëmarrja e Shqipërisë në “Ekspo Shangai 2010” duhet vlerësuar si një etapë e rëndësishme e bashkëpunimit të frytshëm midis dy vendeve tona.

Gjatë bisedës, presidenti Topi dhe kryetari Banguo diskutuan për situatën në Ballkan duke u ndalur në çështjen e Kosovës, ku kryetari i shtetit shqiptar theksoi qëndrimin e Shqipërisë se “njohja e pavarësisë së Kosovës është mënyra e vetme për t’i kontribuar stabilitetit afatgjatë dhe paqes jo vetëm rajonale, por edhe globale”.

“Gjithashtu”, - vuri në dukje presidenti i Republikës, - “ne mbështesim dialogun e sinqertë e konstruktiv mes Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e çështjeve praktike, çfarë do t’u shërbente interesave të përditshme të qytetarëve të tyre”. Në këtë pikë Presidenti Topi shprehu urimin për një njohje të shtetit të pavarur të Kosovës edhe nga Republika Popullore e Kinës, duke e siguruar kryetarin Wu Banguo se kjo do të shënonte rritjen e mëtejshme të qëndrueshmërisë dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit.

Duke folur për rritjen e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve tregtare, Kryetari i Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Popullore Kombëtare të Kinës, vuri në dukje se “Ekspo Shangai 2010” është një eveniment global që për herë të parë në historinë e panaireve botërore organizohet nga një vend në zhvillim dhe gjatë pesë muajve të fundit ka pasur pjesëmarrës nga 246 vende të botës dhe ka numëruar deri tani gati 60 milion vizitorë kinezë dhe të huaj.

Në këtë aspekt, pasi nënvizoi faktin se prania e sipërmarrësve shqiptarë do të jetë e mirëpritur në Kinë, Kryetari Wu Bangou theksoi se: “nxitet dhe inkurajohet edhe shtimi i shkëmbimeve ekonomike-tregtare me Shqipërinë, sidomos rritja e pranisë së sipërmarrësve dhe investimet kineze në fusha të ndryshme si infrastruktura, energjetika, industria minerare, telekomunikacioni, etj”.

n.e/NOA

KOMENTE