Tiranë, 1 tetor, NOA – Zv/ministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku mori pjesë në konferencën ministeriale “Vlera sociale e trashëgimisë kulturore në Evropë”, të organizuar nga ministria e Kulturës e Maqedonisë në Shkup gjatë periudhës së datave 24-25 shtator 2010.
Në këtë konferencë, Shqipëria paraqiti arritjet e saj në fushën e trashëgimisë kulturore, në mënyrë të veçantë projektin për rehabilitimin e muzeut arkeologjik të Apolonisë në bashkëpunim me UNDP-UNESCO si dhe projektin, i cili pritet të fillojë në pazarin e Korçës në bashkëpunim me delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë.
Ndërkaq, gjatë ditëve të konferencës, shtetet pjesëmarrëse në bashkëpunim edhe me Këshillin e Europës, diskutuan dhe miratuan marrëveshjen e Shkupit, një dokument prioritetesh në fushën e trashëgimisë, i cili do të shërbejë si një mekanizëm i forcimit të bashkëpunimit rajonal në fushën e trashëgimisë kulturore.
n.e/NOA