English

Arrestohen babë e bir se i “prishën terezinë” hajdutit

Ishëm, 2 Tetor, NOA /Idajet Beqiri - Tre ditë më parë, në fshatin Draç të Komunës së Ishmit ndodhi një ngjarje vërtetë tragji-komike.

Një person, me emrin D.Disha, 39 vjeç, ka shkuar dhe ka vjedhur kabllin elektrik që furnizonte me energji elektrike familjen Bushaj, të përbërë prej 10 frymësh.

E ndërsa keqbërësi ka vjedhur plot 10 metër kabull, familjes Bushaj i është ndërprerë energjia elektrike dhe kuptohet, në një situatë të tillë mbetën në errësirë, televizori nuk u punonte, frigoriferi gjithashtu.

Në kushtet kur nusja e djalit të kësaj familje është shtatzënë, dhe pritet me ditë një lindje e vështirë, nervozizmi dhe pakënaqësia për ndërprerjen e energjisë elektrike arriti kulmin te të gjithë pjesëtarët e familjes.

Në çastet e para, ashtu sikurse vetëkuptohet, shanë me ç’mundën qeverinë. Pastaj nuk lanë fjalë fyese pa përdorur për shoqërinë çeke, e cila lekët ua merr kokërr më kokërr, e madje duke e rritur vazhdimisht çmimin e energjisë elektrike, por energjinë ua ndërpresin si pa gjë të keq.

E më pas, i zoti i shtëpisë, Gjok Bushaj doli në oborrin e shtëpisë. Ç’të shihte, i gjithë fshati, e madje e gjithë zona, e cila kontrollohet lehtësisht me sy natën, kishin dritë elektrike. Vetëm shtëpia e tij nuk kishte.

Mori djalin e tij të madh, Bledin, atë që këto ditë do të bëhet baba për herë të parë, dhe dolën nga shtëpia për të ndjekur shtyllat nga u vinte rryma elektrike.

Ç’të shohin, kablli elektrik ishte i hequr nga shtyllat.

Duke ndjekur rrugën e shtyllave, ndeshën hajdutin që pasi e kishte këputur kabllin, po e mblidhte për ta futur në thesin e tij. E ndaluan, dhe me qenë se ishin dy veta, at e bir, e detyruan të shkonte në shtëpinë e tyre.

Vjedhësi D.Disha nuk bëri asnjë rezistencë dhe shkojë me ta.

Kur e futën këtë vjedhës në shtëpi, Gjok Bushaj i ka afruar këtij vjedhësi një gotë raki dhe një kafe.

Pastaj i prezantoi atij 7 fëmijët e tij, 5 prej të cilëve të mitur, gruan e tij, e cila vuan prej disa sëmundje, nusen e djalit me barkun tek goja nga shtatzënia.

Dhe i thotë pse e bëri këtë “mëkat”! Pastaj ka marrë në telefon punonjësin e policisë të komunës, i cili ndodhej pak larg. E ka informuar se i është vjedhur kablli elektrik, për rrjedhojë ka mbetur në errësirë.

“Hajde nesër në Komunë, -i ka thënë punonjësi i policisë,- që të bësh denoncimin dhe të vihemi në kërkim të vjedhësit.”

“More vjedhësin e kam zënë vet unë,- i tha Gjoka punonjësit të policisë,- por ju hajdeni dhe merreni tek shtëpia ime!”

Ç’është e vërteta, punonjësi i policisë me gjithë se ishte shumë larg nga vendi i ngjarjes, e ka vlerësuar seriozisht këtë fakt dhe ka shkuar në fshatin Draç.

Ka ndaluar autorin e ngjarjes D.Disha, ka njoftuar policinë e Shijakut dhe pasi e kanë marrë vjedhësin, kanë bërë edhe një kontroll të banesës së tij.

Në shtëpinë e tij kanë gjetur edhe një armë “Kallashnikov” dhe 30 fishekë të cilat ky shtetas i mbante pa leje të organeve kompetente. Pra, veç akuzës së vjedhjes sipas nenit 134 të Kodit Penal, ju shtua edhe vepra penale e armëbajtjes pa leje, krim ky që parashikohet si i tillë nga neni 278/2 i Kodit Penal.

Pasi e arrestuan, oficeri i policise gjyqësore e mori në pyetje vjedhësin D.Disha, i cili kryesisht për faktin se ata nuk e kishin lënë atë të ikte, por e mbajtën në shtëpinë e tyre deri sa erdhi policia, bëri një kallëzim penal edhe kundër të dëmtuarve Gjok Bushaj dhe Bledar Bushaj pasi ata, i kishin hequr atij lirinë, si dhe kishin bërë vetëgjyqësi.

Duke shtuar se i kishin kërkuar edhe 100.000 lekë, në këmbim të mosdenoncimit të tij në polici.

Mbi bazën e këtij kallëzimi të bërë një skuadër policësh zbarkojnë në shtëpinë e Gjok Bushaj, dhe arrestojnë në flagrancë atë e bir dhe i mbyllin në dhomat e izolimit të Drejtorisë së Policisë në Durrës.

Materialet hetimore ju dërguan prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Përmes një informacioni për kryerjen e veprës penale, i kërkohej Prokurorit arrestimi i Gjok Bushaj dhe Bledar Bushaj.

Kjo tragji-komedi u zgjidh duke u dhënë këtyre dy personave një masë sigurimi më të butë, sikurse është ajo e paraqitjes para oficerit të policisë gjyqësore, sa herë ai t’i kërkojë, deri në zbardhjen përfundimtare të kësaj çështje.

Pyetja që shtrohet është kjo: Pse vallë jemi kaq “zemërgjerë” me lloj-lloj krimi dhe krimineli, aq sa edhe pse dikush që është në hallin e vet, në punën e vet, në shtëpinë e vet, dhe mbetet i dëmtuar nga krimi i tyre, nuk kursehet, deri edhe me “arrest në burg”, vetëm e vetëm pse nuk e la në “terezinë e vet kriminelin”?

i.b/NOA

KOMENTE