English

Bamir Topi: Raportet me Kinën, një stad i ri

Shangai, 2 tetor, NOA - Në përfundim të vizitës së tij disaditore në Republikën Popullore të Kinës, presidenti i Republikës, Bamir Topi dha një intervistë për “Radion e Jashtme të Kinës”, duke theksuar se marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën, kanë arritur në një stad të ri.

“Pas nivelit mjaft të mirë të dialogut dhe marrëdhënieve politike, del e nevojshme që të shtohen edhe marrëdhëniet në nivelin e bashkëpunimit ekonomik, të biznesit. Ne po shfrytëzojmë edhe mundësinë që na ofron lidhja tradicionale që Shqipëria ka pasur dhe vazhdon të ketë me Republikën Popullore të Kinës”, ka pohuar ai.

Zoti President, kjo është pjesëmarrja e parë e Shqipërisë në ekspozitën botërore. Si do të shfaqet Shqipëria para Kinës dhe botës? Së pari dëshiroj t’ju them që ndihem shumë i gëzuar që ndodhem në këtë vizitë timen të parë si President i Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës dhe posaçërisht në Ekspo Shangai. Ndihem gjithashtu i gëzuar që Shqipëria përfaqësohet me një pavijon në këtë ekspozitë, që ndoshta është më e madhja në botë, sipas informacionit që kam, dhe kjo na jep kënaqësi që Shqipëria përfaqësohet si një vend me mundësi të rëndësishme turistike, sepse Shqipëria, sikurse e dini, ndodhet në një vend mjaft të privilegjuar në pellgun e Mesdheut. Nga ana tjetër ka bukuri të mëdha natyrore, por ne po shfrytëzojmë edhe mundësinë që na ofron lidhja tradicionale që Shqipëria ka pasur dhe vazhdon të ketë me Republikën Popullore të Kinës. Kështu që në pyetjen që ju bëtë se si shfaqet Shqipëria në marrëdhëniet me Kinën dhe ndaj botës, mund t[ju them që Shqipëria tashmë është një vend i hapur, demokratik, një vend që gradualisht po integrohet në strukturat e Bashkimit Evropian dhe dëshiron të ketë marrëdhënie të hapura në të gjitha fushat me vendet që e rrethojnë, me vendet e Bashkimit Evropian, por edhe me Kinën, si një vend, që ka ndërtuar, sikurse e thashë, marrëdhënie tradicionale me Shqipërinë. Kjo është besoj edhe një mundësi tjetër që u jepet edhe qytetarëve kinezë për ta parë Shqipërinë nëpërmjet ekspozimit të saj dhe për të tërhequr gjithashtu edhe interesat e investitorëve kinezë, të cilët janë të ftuar edhe nga ana ime për të ardhur në Shqipëri, për të investuar dhe për të thelluar marrëdhëniet e bashkëpunimit me Shqipërinë. Shumë mirë! Si e vlerësoni zhvillimin e marrëdhënieve midis Kinës dhe Shqipërisë dhe si e shikoni perspektivën e tyre? Marrëdhëniet besoj se kanë arritur në një stad të ri. Janë marrëdhënie, të cilat vlerësohen si shumë të mira. Kjo vlerësohet edhe nëpërmjet nivelit të lartë të dialogut politik. Sikurse e shikoni, midis dy vendeve tona janë shkëmbyer vizita reciproke në nivel të lartë dhe nga të dyja palët është kërkuar që këto marrëdhënie të forcohen edhe më tej në interes të dy vendeve dhe popujve tanë. Pas nivelit mjaft të mirë të dialogut dhe marrëdhënieve politike, del e nevojshme që të shtohen edhe marrëdhëniet në nivelin e bashkëpunimit ekonomik, të biznesit dhe ju e dini që prej kohësh ka biznesmenë të Shqipërisë që kanë ardhur në Kinë të zhvillojnë aktivitetin e tyre dhe anasjelltas, ka investitorë kinezë që kanë në Shqipëri, madje do të vija në dukje që kohët e fundit kemi pasur edhe praninë e kompanive mjaft të rëndësishme në fushën e telekomunikacionit, por edhe në fushën e energjisë, të infrastrukturës e të ndërtimit. Besoj se janë të dhëna që dëshmojnë se këto marrëdhënie po intensifikohen dhe jam i bindur që interesi i investitorëve dhe i biznesmenëve edhe nga Shqipëria, edhe nga Kina është në rritje çka tregon se e ardhmja do të jetë më e mirë se e sotmja. Po, vitet e fundit janë zhvilluar shumë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare midis Kinës dhe Shqipërisë. Sipas jush, cilat janë masat që duhen të ndërmerren nga të dyja palët për forcimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve? Unë besoj që institucionet dhe politika duhet të vazhdojnë të përgatisin ligje dhe akte administrative që t’i lehtësojnë marrëdhëniet. Sikurse janë bërë deri tani, besoj se edhe në të ardhmen do të ketë ligje dhe akte administrative dhe marrëveshje specifike, që do ta bëjnë më të lehtë komunikimin midis njerëzve nga të dyja vendet tona. Dhe besoj se do të orientohen në fushat më prioritare që kanë interes që të zhvillohen. Unë e citova, janë marrëdhëniet ekonomike në fushën e burimeve minerare, në energjetikë, në infrastrukturë, në telekomunikacion, sepse këto janë edhe fushat prioritare ku Shqipëria po orientohet për të ardhmen. Ne si institucione dhe si përfaqësues të rëndësishëm të institucioneve të shtetit kemi vullnetin t’i orientojmë aty ku duhet të zhvillohen këto marrëdhënie dhe pastaj i takon iniciativës së njerëzve të lirë, të biznesmenëve, të privatëve që të bëjnë më të mirën për të rritur cilësinë e këtyre marrëdhënieve dhe zhvillimeve. Ju e dini që mes Kinës dhe Shqipërisë ekziston një miqësi e thellë dhe tradicionale. Si trashëgohet kjo miqësi nga brezi i ri i të dy vendeve?

Sigurisht brezi i ri ka nevojë të informohet, sepse ekziston një brez, i cili e ka përjetuar më parë. Edhe brezi im i ka përjetuar marrëdhëniet mjaft të mira që kanë ekzistuar midis Shqipërisë dhe Kinës. Kini parasysh që ne kemi shkëmbyer edhe prodhime të artit e të kinematografisë reciprokisht nga Shqipëria në Kinë dhe anasjelltas. Madje unë kam vërejtur se ekziston edhe një nostalgji dhe një informacion shumë i mirë për filmat shqiptarë që janë transmetuar në kinematë kineze. Brezi i ri ka nevojë që të informohet dhe natyrisht që informohet për nevojën e mbajtjes gjallë të kësaj tradite të marrëdhënieve, sepse populli kinez është një popull i madh, është një vend dhe një popull me traditë të lashtë, një popull shumë punëtor, një popull shumë novator dhe të gjitha këto janë premisa që të japin mundësinë që edhe bashkëpunimi të jetë i frytshëm. Kjo shpjegon edhe faktin që Kina është zhvilluar shumë dhe besoj që është një mundësi e mirë dhe e madhe për Shqipërinë dhe biznesmenët shqiptarë që të kenë marrëdhënie me Kinën. Pra komunikimi i lirë e i hapur, edhe i rregulluar nëpërmjet ligjeve dhe akteve administrative, nëpërmjet marrëveshjeve të veçanta e bën më të lehtë këtë lloj bashkëpunimi. Ju falenderoj për intervistën e dhënë për Radion e Jashtme të Kinës dhe shprehim përshtypjen se keni mbetur të kënaqur nga vizita juaj në Kinë! Shpresojmë që të zhvillojmë takime të tjera edhe në të ardhmen! Edhe unë ju falenderoj!

“Radio e Jashtme e Kinës”

KOMENTE