English

Bashkimi i 2 Gjermanive, përtej çdo lloj statistike

Berlin, 2 tetor, DW - Për historinë, 20 vjet janë sa një hapje mbyllje sysh. Këtë duhet ta kujtojnë ata që 20-vjetorin e bashkimit të Gjermanisë e marrin si shkas për të kritikuar atë që na ndan, jo për të vlerësuar atë që është arritur.

Në këtë jubile sundojnë statistikat: Të dhëna dhe fakte, informacione mbi Gjermaninë sot, - 20 vjet pas ribashkimit. Dhe kjo është e drejtë: Shumë statistika tregojnë që në dy dhjetëvjeçarët e fundit janë bërë edhe gabime, që ende ekzistojnë padrejtësira, që papunësia në Gjermaninë Lindore është dyfish më e lartë se sa në Perëndim, dhe që njerëzit në pjesën perëndimore, për të njëjtën punë paguhen më mirë se ata në atë lindore. Të gjitha këto mund t'i lexosh në studime shkencore të menduara mirë – por çfarë të thonë ato për ribashkimin? Jo dhe aq shumë.

Historikisht unikale

Projekti më i madh dhe ende i papërfunduar i historisë gjermane të pasluftës nuk mund të matet me shifra. Sigurisht gjermanët e Republikës së dikurshme perëndimore e ndjejnë barrën financiare, që shkaktuan dhe shkaktojnë transfertat e shumta në miliarda për Gjermaninë Lindore. Shumë më e madhe ishte sfida për banorët e ish-RDGJ-së, të cilët pas shpërbërjes shoqërore, politike dhe ekonomike të shtetit të tyre, duhej të ndërtonin një jetë tërësisht të re.

Megjithatë sukseset e arritura ende nuk vlerësohen aq sa duhet në opinionin publik gjerman, Në vend të kësaj qahemi si tepër – megjithëse këto qarje 20 vjet pas bashkimit nuk janë gjë më shumë se sa politikë interesash. Në Lindje si në Perëndim.

Sepse askush nuk mund të priste që brenda dy dhjetëvjeçarësh, të bëheshin një i vetëm, dy sisteme shoqërore tërësisht të kundërt me njëri-tjetrin, si Republika Federale dhe Republika Demokratike Gjermane. Kush kërkon që 20 vjet më pas të mos vihet re më asnjë dallim mes Lindjes dhe Perëndimit, ai nuk e ka kuptuar dimensionin e kësaj ngjarjeje të padëgjuar dhe në formën e saj historikisht unikale.

Nuk kishte kohë për eksperimente

Në këtë pikë nuk ndryshon asgjë, fakti që mes rënies së Murit dhe 3 Tetorit 1990 janë bërë shumë gabime, po ashtu shumë situata nuk janë kuptuar ashtu si duhet. Sot dihet: Arkitektët e bashkimit gjerman nuk kishin atëherë shumë kohë as për eksperimente, as për një afrim të ngadalshëm të dy shteteve gjermane. Ata duhej të kapnin shansin unikal historik, në një moment, në të cilin rendi botëror ndryshoi në mënyrë radikale – dhe këtë ata e bënë. Natyrisht ishte e nxituar t'u premtoje njerëzve, siç bëri asokohe kancelari Helmut Kohl, se bashkimi do të zgjaste vetëm disa vjet dhe do të ketë një kosto të kontrollueshme. Këto fjali përdoren ende sot si municion i lirë për debate kafeneje – por arritjen e Kohlit dhe të gjithë atyre që i hapën rrugën bashkimit, ato nuk mund ta zvogëlojnë.

Pasi Gjermania ka përfituar në çdo lloj kuptimi, nga ribashkimi. Këtu bën pjesë – dhe nuk është pak- që ky vend në 20 vitet e shkuara është bërë një vend më i hapur, më alternativ, më i gjallë, dhe më relaksues. Ky vend ka mësuar si të veprojë me kontradiktat, çështjet e hapura dhe konfliktet shoqërore, ka mësuar t'i pranojë ato, dhe të mos i fshehë nën rrogoz. Ky vend nuk i kërkon më përgjigjet duke peshkuar në turbullirë, por hap sytë, reflekton, sheh me vëmendje dhe pyet. Gjermania është një laborator, një shoqëri në zemër të Evropës, e cila rregullisht duhet të mësojë si të veprojë me transformimet, sfidat dhe përvojat e reja. Edhe ky është një rezultat i bashkimit të Gjermanisë. Dhe ky të rrëfen për këtë vend, më shumë se të gjitha statistikat së bashku.

Deutsche Welle

KOMENTE