Tiranë, 2 tetor, NOA – Gjatë përurimit të nisjes së punimeve për rrugën e re Shkallë-Shëngjergj, kryeministri Sali Berisha i ka garantuar banorët e kësaj zone se qeveria e tij do ta shndërrojë në investime mbështetjen me votë në zgjedhjet e shkuara.
Kjo rrugë në komunën e Shëngjergjit, pranë Tiranës një investim i Fondit Shqiptar për Zhvillimin është 17 kilometra e gjatë, dhe do të kushtojë 560 milionë lekë.
“Shpreh kënaqësinë time, se takohem në një moment të rëndësishëm për kryeqytetin e vendit, pasi rruga e re që inaugurojmë, ndërtimi i saj, shkurton distancën me kryeqytetin për qytetarët e kësaj komune nga 3 orë, një rrugë ndër më mundueset, në 1 orë e 15 minuta, një rrugë ndër më çlodhëset dhe më të bukurat”, tha në fjalën e tij kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se “Kjo rrugë bën të mundur që të dalin në dritën e diellit të gjitha vlerat e mëdha, të gjitha prodhimet e mrekullueshme të komunës tuaj dhe u bën të mundur qytetarëve të Tiranës të njohin malësinë e mrekullueshme të Tiranës, të njihen me bukuritë e saj magjepse, dhe Shëngjergji të shndërrohet në një nga zonat kryesore turistike të vendit”.
Shefi i ekzekutivit duke iu referuar investimeve të qeverisë tha se “Këto pesë vite në qarkun e Tiranës qeveria ka ndërtuar 510 kilometra rrugë, nga të cilat në këtë qark 125 kilometra janë rrugë kombëtare; 320 kilometra janë rrugë rurale të ndërtuara me grandet që ne i kemi dhënë qeverisë vendore dhe me fondet e saj; mbi 80 kilometra janë ndërtuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit”.
“Unë ju jap ju fjalën se qeveria ime do të bëjë çdo investim, që këtyre djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, t’ua bëjmë Shëngjergjin njëlloj si një lagje të qytetit të Tiranës”, u shpreh kryeministri.
Në fjalën e tij shefi i qeverisë nuk la pa shigjetuar opozitën, duke e cilësuar krizën për të cilën ata akuzojnë përditë si një krizë që ekziston vetëm në shpirtin e tyre.
“Këta zotërinj që kanë shndërruar partinë e tyre në një sipërmarrje ndërtimi, këta dasmojnë dhe hedhin napolonin me leje ndërtimi, këta zotërinj gjobisin me 20 përqind çdo ndërtues në Tiranë, këta zotërinj nuk lejojnë një të huaj të investojë në kryeqytet, vetëm e vetëm se të huajt nuk pranojnë të japin 20 përqindëshat”, shtoi kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha inauguroi po sot edhe përfundimin e rikonstruksionit të sheshit qendror të komunës së Shëngjergjit, një investim që i ka kushtuar buxhetit të shtetit plot 130 milionë lekë. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha i garantoi banorët e Shëngjergjit se qeveria do të shumëfishojë përkrahjen ndaj të gjithë fermerëve shqiptarë duke i siguruar se në fund të mandatit nuk do të ketë komunë, qendra e të cilës të mos lidhet me rrugë të asfaltuar me akset kombëtare.
mit/NOA