English

Burgjet: I arratisuri iku nga dhoma e gjumit

Tiranë, 2 tetor, NOA Update – Ndërsa ishte duke u ruajtur nga forcat e policisë për të respektuar orarin e caktuar të lejes që i ishte dhënë nga burgu, i dënuari Admir Tafilaj është larguar nga banesa e tij, nëpërmjet dhomës së gjumit ku po qëndronte bashkë me bashkëshorten, duke iu shmangur kështu detyrimeve që ai kishte për lejen e dhënë.

Ky është sqarimi zyrtar që jep drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve lidhur me arratisjen e të dënuarit Admir Tafilaj gjatë orëve të pasdites së sotme.

“Mbi bazën e kërkesës dhe dokumentacionit të paraqitur, është miratuar dhënia e lejes së veçantë për të dënuarit Admir dhe Genci Bahri Tafilaj, lindur e banues në Shkodër, për të shkuar pranë familjes së tyre në qytetin e Shkodrës, pasi kishin nënën të sëmurë”, thuhet në njoftimin përkatës të lëshuar me këtë rast.

Duke saktësuar më tej se i dënuari Admir Tafilaj ka qenë i dënuar me 20 vjet heqje lirie, ndërsa i dënuari Genci Tafilaj i dënuar me 25 vjet heqje lirie për veprën penale të vrasjes në rrethana cilësuese, në zbatim të nenit 79/c-25 të Kodit Penal.

Ndërsa thuhet se të dënuarit Admir Tafilaj i kanë mbetur për të vuajtur dhe 9 vjet e 10 muaj heqje lirie nga dënimi i dhënë.

Sa i përket lejes së marrë prej tij, mësohet se ajo do të kryhej ditën e sotme gjatë orarit 9.00-18.00, nën shoqërimin e forcave të policisë të Lezhës.

“Sot është bërë shoqërimi i dy të dënuarve për në familjen e tyre. Në orën 11.30 të dënuarit kanë mbërritur në familjen e tyre dhe rreth orës 15.10 nga forcat e policisë që po e shoqëronin është konstatuar se i dënuari Admir Tafilaj është larguar nga banesa e tij, nëpërmjet dhomës së gjumit ku po qëndronte bashkë me bashkëshorten, duke iu shmangur kështu detyrimeve që ai kishte për lejen e dhënë”, citon njoftimi.

Duke përfunduar se menjëherë janë njoftuar forcat e rendit të Shkodrës dhe ka filluar kërkimi për kapjen e tij, njëkohësisht nga organet kompetente kanë filluar veprimet hetimore për ngjarjen në fjalë.

n.e/NOA

KOMENTE