Tiranë, 2 tetor, NOA – “E akuzoj publikisht Ilir Beqen se, përveç që ka shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe ligjin, dje ka gënjyer edhe publikisht. Këtu, keni dy faturat e pagesës së tij dhe siç shihet, në faturën e parë më dt 17 shkurt 2010, kompania e Beqjas ka përfituar shumën prej 146 milionësh”.
Kështu u shpreh në një deklaratë për shtyp, deputetja demokrate Mesila Doda, sipas të cilës, deputeti i partisë së Bashkisë, Ilir Beqja, u shpreh dje në konferencë për shtyp se është pronar i një sipërmarrje, e cila në mënyrë të vijueshme ka respektuar ligjet e vendit.
“Sipas tij që nga momenti kur ka filluar të ushtrojë mandatin e deputetit, kompania e vet nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike”, tha ajo.
Por më pas, ka detajuar të gjitha shkeljet që Beqja ka bërë me fondet publike, duke treguar sesi më datë 21 maj 2010, vetëm një ditë pas daljes nga greva e tij e urisë, ai ka marrë edhe këstin tjetër, shumën prej 92 milionësh.
“Pra, vetëm gjatë vitit 2010 , ky zotëri ka përfituar 240 milion lekë nga paratë e taksapaguesve”, akuzoi publikisht Doda.
Në fund, ajo ka shtuar se “pas mega-aferës prej 100 milion euro të Edi Ramës, ky është skandali i radhës, ku me dokumente të qarta provohet katërcipërisht dimensioni i frikshëm i babëzisë, që kanë si filozofi, bllokmenët e rinj dhe kryetari i tyre. Korrupsion, vjedhje, dhunim të Kushtetutës dhe ligjeve në këmbim të miliardave të pista, që futen në xhepat e atyre, të cilët përmes avokatisë së flaktë të mister 20%, mbrojnë dhe veten e tyre”, përfundoi ajo.
n.e/NOA