English

Fatmir Sejdiu: Zgjedhjet e parakohshme, në mars 2011

Prishtinë, 2 tetor, NOA – Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se muaji mars i vitit të ardhshëm, mund të jetë koha më e mirë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, të cilat janë bërë të pashmangshme pas dorëheqjes së tij nga posti i presidentit.

Ish-presidenti Sejdiu e cilëson të panatyrshëm dhe të pa arsyeshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese që çoi në dorëheqjen e tij. Ai paralajmëroi vazhdimin e punës së tij në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Zoti Sejdiu, ju e keni cilësuar të çuditshëm procesin që çoi në dorëheqjen tuaj nga posti i presidentit të Kosovës. A mendoni se kishte një konspiracion për ta krijuar një situatë të tillë?

Unë them se ka qenë një rrjedhë e panatyrshme dhe një vendim jo i arsyeshëm, i ngutshëm. E kam pranuar si të tillë, në kuptimin e ndjenjës sime për respekt ndaj institucioneve të vendit. I panatyrshëm ka qenë për shumë arsye, të cilat deri tash edhe i kam shpjeguar në opinion. Nga momenti i idesë për të nxitë pa përputhshmërinë e mbajtjes së dy cilësive, deri tek zhvillimet e tjera. Unë them në atë kohë edhe është instruktuar nga njerëz të caktuar se si të bëhet kjo punë dhe është instruktuar për çudi, tek deputetët që kanë miratuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në pjesën e mëvonshme nuk është ofruar mundësi e madhe e komunikimit, ashtu sic do të duhej, me njerëzit që më kanë përfaqësuar.

Ka qenë e keqe se është komunikuar me mjetet e ndryshme të informacionit, që unë s’them se duhet të mungojë transparenca, por çështjet që është dashur t’i dijë edhe unë, i kamë ditë prej gazetash. Dhe ka qenë e keqe se kohë më herët unë kam marrë në njëfarë mënyrë vendimin apo verdiktin e gjykatës, pa qenë i publikuar. Dhe e fundit është ajo që është bërë, them prapë, në nguti, pa e publikuar fare në gazetën zyrtare, që janë aspekte procedurale, pa e respektuar mos prezencën me nënshkrime të plota të njerëzve, apo deputetëve që janë tërhequr. Por, them edhe aspekte të tjera që si të tilla praktikisht i quaj në pjesën akumuluese të tyre të panatyrshme për të nxjerrë atë rezultat që e kanë marrë. Te jetë si të jetë unë kam respektuar vendimin e gjykatës, kam respektuar me pjesën e qëndrimit tim se dua të ndihmojë në konsolidimin e mëtejmë të institucioneve. Njerëzit mund të pyesin dhe është pyetje legjitime nëse unë kam respektuar institucionin e Gjykatës Kushtetuese, pse atëherë nuk është bërë që të respektohet institucioni i presidentit të vendit, duke pasur parasysh që këtë mandat dhe këtë cilësi e kam tash katër vjet e tetë muaj.

Kush qëndron pas tërë kësaj?

Unë nuk dua të jap formulë se kush qëndron, por mund të jenë nisma dhe ide që kanë pasur ambicien e vet dhe ato si të tilla janë realizuar në këtë kuptim se si është përfunduar.

Dhe ju vendosët ta respektoni, por duke e respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, a është futur vendi në krizë politike dhe institucionale?

Asnjëherë nuk ia kam dëshiruar vendit, krizën politike. Nuk ia dua as sot, as të nesërmen. Unë dëshiroj që të ketë një veprim të shpejtë,të harmonishëm, duke u mbështetur, prapë them në kushtetutën dhe ligjet e vendit për të plotësuar boshllëkun ekzistues. Natyrisht se në bazë të kushtetutës, kryetari i Parlamentit e ushtron detyrën edhe të presidentit të vendit në kohë të caktuar. E them pa të keqe gjithmonë dhe mos të kuptohet si pjesë e akuzës nga ky pozicion, që është kryetar i parlamentit, por do të shohim se do të reagonte kushtetuesja tash në këtë rast. Nëse presidenti i vendit është larguar për arsye se mban një post politik që nuk e kam ushtruar, sepse kushtetuta kërkon asisoj, duke pasur parasysh normën finale të saj, atëherë si do të jetë ushtrimi efektiv i kryetarit të parlamentit që është sekretar i përgjithshëm i një partie politike dhe që është post shumë i lartë politik.

Po kërkoni kësisoj dorëheqjen e zotit Krasniqi?

Jo. Nuk e tash asisoj absolutisht. Unë thashë vetëm shembullin se cili do të jetë reagimi i Gjykatës Kushtetuese në këtë rast, sepse po të jetë edhe një minutë i vetëm, Gjykata Kushtetuese, siç më kanë kërcënuar mua, të themi me paralajmërime, do të duhej të reagonte.

Kryetari i Parlamentit mund të jetë më së shumti për gjashtë muaj në krye te vendit. Dhe ndërkohë nëse nuk arrini një marrëveshje që nuk duket se mund të arrini, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Kur mendoni se mund të jetë kjo periudhë?

Unë them se duhet të bëhen përgatitje të mira për të pasur një proces fer zgjedhor, i cili do të jepet shansin e barabartë për të gjithë njerëzit e Kosovës për të shprehur vullnetin e tyre dhe kjo nënkupton kompletimin e shumë elementeve që janë të nevojshme, duke pasur parasysh në radhë të parë ligjin mbi zgjedhjet, që duhet të pësojë ndryshime esenciale në çështje kyçe, që janë pjesë edhe e marrëveshjes politike, por që janë pjesë edhe e asaj që mund të quhet harmoni të nevojshme në “normo-teknikë”, apo përputhjesh me ligje të tjera. Pastaj janë çështje që lidhen me elementet kohore se sa mund të bëhet një proces zgjedhor, sikur kemi nganjëherë idenë që dëgjojmë për 30 apo 45 ditë që është vështirë të bëhet për një komunë, i kemi problemet praktike që i ndeshim dhe sa duhet të respektohet ai çelës apo ajo formulë kushtetuese se zgjedhjet nga dita e shpalljes duhet të mbahen brenda katër apo gjashtë muaj më së shumti. Prandaj kjo pjesë duhet të respektohet. Për ne është me rëndësi që do të kemi pajtimin besoj, këtë e shoh edhe në gjithë spektrin politik të Kosovës që ato të jenë të parakohshme në kuptimin e mos shkuarjes në nëntorin e vitit 2011, por që të lëvizë më herët, që të jetë ta zëmë në pranverën e hershme, pse jo?

Kjo nënkupton, më së largu, marsi i vitit të ardhshëm?

Unë them se marsi mund të jetë një muaj i përshtatshëm.

A ka ndonjë shans për një marrëveshje të tillë me partnerin tuaj të koalicionit me të cilin ende formalisht jeni në koalicion dhe me të cilin edhe jeni takuar?

Unë them se janë të nevojshme konsultat edhe ndërmjet dy partnerëve të koalicionit në qeverisjen aktuale, por them se janë të nevojshme konsultat me të gjitha partitë politike relevante në Kosovë, sepse deshëm, s’deshëm, numrat e tyre në parlament janë prezent dhe unë them se duhet t’i respektojmë për një konsulencë të plotë që të jetë një konsensus i përbashkët, apo të them një ujdi e përgjithshme, siç thuhet nganjëherë në teoritë e Rusosë, vullneti i përgjithshëm, s’është e thënë që të jetë vullneti i të gjithëve, por vullneti i përgjithshëm që mban anën të themi të përbashkët për një datë të përshtatshme që do të jetë. Të jetë si të jetë për neve është e rëndësishme që trupat profesionale dhe të pavarura siç është KQZ, një komision i ndërtuar “ad- hoc” për të bërë përgatitje apo ndryshime dhe plotësimet në ligjin mbi zgjedhjet të bëjë punë urgjente dhe natyrisht të ketë një zhvillim të dialogut të mirëfilltë mes subjekteve politike për të nxjerrë konsensusin apo për të nxjerrë idenë e përbashkët të shumicës për të pasur këtë proces.

Si janë marrëdhëniet sot midis jush dhe kryeministrit Thaçi?

Unë kam mbajt gjatë gjithë kohës së ushtrimit apo pozitës sime si president, marrëdhënie korrekte institucionale. Dhe këtë e them më çdo njeri, pavarësisht se si mund të mendojnë njerëzit. Natyrisht se qëllimi im themelor ka qenë që në një bashkëpunim institucional të jepet kontribut për Kosovën. Nuk dua të hyjë në shpirtin e askujt se si mendon dhe cila është qasja e tij shpirtërore, në këtë rast as të kryeministrit Thaçi apo të ndonjë lideri tjetër të partive politike apo udhëheqës të institucioneve, por them atë çfarë unë mendoj. Unë nuk mbaj armiqësi me njerëz. Ajo që është esenciale, jam në shprehjen e qëndrimeve parimore, shumë këmbëngulës. Në atë që pajtohem e them se pajtohem, në atë që s’pajtohem e them që s’pajtohem dhe ka pasur shumë çështje që i kamë thënë asisoj.

Dorëheqja juaj vjen në një periudhë kur është folur shumë për fillimin e bisedimeve me Serbinë për zgjidhjen e çështjeve të përbashkëta. A i shtynë kjo këto bisedime dhe ishte dorëheqja juaj, në fakt siç është thënë në shumë vlerësime, një veprim pikërisht për ta shmangur fillimin e këtij dialogu?

Nuk e di, unë nuk dua t’i lidhë scenariot që mund të jenë jashtë meje. Ajo që ka qenë në shpirtin tim dhe në gjitha vokacionin tim politik të shprehur shumë qartë, ka qenë qëndrimi jashtëzakonisht transparent, korrekt dhe këmbëngulës. Ne kemi nevojën që të bisedojmë me Republikën e Serbisë, absolutisht. Dhe kjo të jetë në frymën e qasjes apo investimeve për të pasur raporte të mira ndërshtetërore, për të pasur kontribut në ecjen e mëtejshme të dy vendeve sovrane në procese integruese dhe për të krijuar një klime të shtendosur të përgjithshme për të ardhmen e Evropës Juglindore apo Ballkanit perëndimor. Mirëpo, gjithmonë kam thënë se në bisedimet me Serbinë, nuk mund të jetë temë çështja e statusit të Kosovës. Nuk mund të jetë temë çështja e integritetit të vendit, nuk mund të jetë temë çështja e rregullimit të brendshëm të vendit, nuk mund të jetë prishja e konceptit kushtetues të karakterit unitar të shtetit të Kosovës.

A mundet Kosova në gjendjen aktuale që është krijuar me dorëheqjen tuaj të hyjë në bisedime me Serbinë?

Është çështje e veprimeve të institucioneve. Unë nuk do të jem peng, apo s’do të jem insistues që të pengojë proceset. Jam natyrisht në një detyre krejt tjetër, thjeshtë të një lideri të një partie politike. Fundja, jam qytetar i lirë i Kosovës dhe është borxh i institucioneve që të sillen në përgjegjësinë e tyre dhe unë besoj se duhet ta kenë atë nivel.

Jeni kthyer në detyrën tuaj si kryetar i LDK-së. Si kryetar i kësaj partia është dëmtuar pozicioni juaj nga dorëheqja si president dhe a ua bënë më të vështirë brenda partisë, që tashmë ka filluar?

Jo, shiko. Është çështje, po e quaj në elektorë të brendshëm të LDK-së të vendosin dhe asnjëherë nuk kam qenë njeri që kam imponuar të themi vullnetin apo egon time për të shembur vullnetin e tyre politik. Unë nuk kam ndërgjegjen e vrarë për veprimet që kam bërë si president dhe për dorëheqjen që kam bërë, qoftë edhe me anatemën apo kryqëzimin tim, vënien në kryq me këtë se gjoja kamë thyer kushtetutën. Ku ka qenë Gjykata Kushtetuese, po e marrim tash e sa kohë që është formuar. Apo, ku janë reagimet tjera për të më bërë me dije tash e katër vjet e tetë muaj gati të plotë të ushtrimit të të pozitës së presidentit të vendit. Pra, ka ardhur një kohë që është gjetur një instrument, në rrugën se si është gjetur. Unë s’them se kush e ka bërë, por them le të mbetet në ndërgjegjen e atyre njerëzve që kanë marrë këtë verdikt final. Dua të çmoj veçanërisht mendimin e ndarë që kanë dhënë dy gjyqtarë ndërkombëtarë. Nuk i di arsyet për çfarë kanë bërë, por mendoj se ka mbizotëruar ajo është esenciale, profesionalizmi tek këta njerëz.

Thatë se është një anatemë, një vënie në kryq e juaja. S’po ju kërkojmë ta thoni se kush është “Juda”. Por, nga kush njeheni i tradhtuar?

Jo, unë them se mund të jetë një tendencë që të bëhet asisoj, por unë s’dua të gjej asnjëherë atë që ka bërë “gozhdimin” po e marrim figurativisht. Për mua është shumë me rëndësi që të vazhdojë jetën. Nuk kam humbur kurajën për jetën dhe për perspektivën e Kosovës. Nuk kam humbur ndjenjën e bashkëpunimit, absolutisht shumë të thellë me të gjithë njerëzit, me të gjithë miqtë e mi në Kosovë, por edhe gjithë miqtë ndërkombëtarë. Dhe mendoj se Kosovës i duhem. Dhe në të njëjtën kohë unë s’them se me këtë është mbyllur një kaptinë e veprimit apo e të drejtës sime që të veprojë në të mirë të Kosovës.

“Zëri i Amerikës”

KOMENTE