Tiranë, 2 tetor, NOA - “Ushtria shqiptare ka disa detyra të mëdha, ka disa misione të mëdha, por një nga misionet e saj të rëndësishme është që t’u shërbejë komuniteteve lokalë, duke krijuar në këtë mënyrë një lidhje sa më të mirë ushtri-qytetar”, ka pohuar ministri i Mbrojtjes Arben Imami, gjatë në inaugurimit të dy segmenteve rrugorë mjaft të rëndësishme në komunën e Memaliajt.
I shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Maksim Malaj, komandanti i Brigadës së Mbështetjes Rajonale, gjeneral brigade Abaz Lleshi si dhe funksionarë të tjerë të ministrisë dhe Shtabit të Përgjithshëm, ministri Imami u prit nga prefekti Mimoza Çomo, kryetar i qarkut Arben Çulli, kryetarja e komunës, Lavdije Hadëri, personalitete të tjera të pushtetit vendor dhe banorë të komunës.
“Këto fshatra historikisht nuk kanë pasur rrugë, ndaj ne sot ju falënderojmë nga zemra për gatishmërinë që treguat në ndërtimin e tyre. Për shkak të terrenit shumë të thyer dhe mungesës së vazhdueshme të infrastrukturës, banorët e tyre ishin detyruar të braktisnin shtëpitë, ndërsa fëmijët bankat e shkollave”, nënvizoi Hadëri, duke vlerësuar maksimalisht punën e bërë nga forcat xheniere për ndërtimin e dy segmenteve rrugorë, përkatësisht 7.5 kilometra të gjatë secili, që lidhin banorët e fshatit Kallëm dhe Mirinë me pjesën tjetër të Memaliajt.
Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes Imami, nënvizoi se ushtria shqiptare ka disa detyra të mëdha, ka disa misione të mëdha, por një nga misionet e saj të rëndësishme është që t’i shërbejë, për aq sa ka mundësi, komuniteteve lokale, ti shërbejë një lidhjeje sa më të mirë ushtrisë me qytetarin shqiptar.
Në përfundim të ceremonisë, ministri Imami u takua edhe me mjaft banorë të zonës të cilët i shprehën atij problemet dhe shqetësimet e tyre, duke kërkuar ndihmën e Forcave të Armatosura për zgjidhjen e tyre.
n.e/NOA