Lushnjë, 2 tetor, NOA Update – “Situata më absurde, ajo e “gjoja-kutive” të opozitës, që njëkohësisht është tragji-komike”.
Kështu u shpreh ndër të tjera gjatë fjalës së mbajtur në takimin me anëtarësinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim të Lushnjës, nga kreu i kësaj partie Ilir Meta.
Sipas tij, Partia Socialiste, kërkon gjoja transparencë, transparencën e zgjedhjeve që i organizoi në ortakëri të plotë me Partinë Demokratike sipas kodit anti-LSI.
“PS-ja kërkon të hetojë votat që mori vetë, kërkon të hetojë zgjedhjet lokale që i firmosi vetë në të gjithë Shqipërinë dhe askush nuk e ka penguar që ta bëjë këtë gjë. E gjithë Evropa i ka kërkuar që t’i drejtohet institucioneve, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, madje i është kërkuar edhe t’i drejtohet Komisionit të Venecias. Por nga të gjitha këto drejtime që i janë dhënë nuk ka zgjedhur asnjërën. Dhe ata duhet të kuptojnë që fillimi nuk është transparenca e zgjedhjeve, fillimi është mbështetja e interesave të vendit. Dhe nuk ka detyrim më të madh politik se kjo”, shtoi ai.
Duke sqaruar më tej se “vënia në radhë të parë e interesave dhe aspiratave integruese të vendit në të mirë të të gjithë shqiptarëve pa dallime partiake”.
Ndërkohë që sipas Metës, është bërë e qartë se në rast se Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias konfirmon që hapja e kutive nuk është hipotezë që dhunon pavarësinë e gjykatave që kanë gjykuar anketat e zgjedhjeve rinumërimi jo vetëm do të bëhet i plotë por në rast se ka ndryshim rezultati, jo vetëm që do të kemi një ndryshim qëndrimi moral, por Partia Socialiste le të marrë qeverisjen pa pasur nevojë për zgjedhje të parakohshme.
“Dhe përsëri, pavarësisht nga kjo ofertë kaq bujare, ata ftojnë elektoratin e tyre për protesta. Ndërkohë që duhen vetëm 28 firma deputetësh për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese”, përfundoi ai.
n.e/NOA