English

Meta: Kontributi i opozitës, e vetmja gjë që na mungon tani për integrimin

Lushnjë, 2 tetor, NOA – “Ne jemi krenarë që pas një viti në qeverisje mund të themi me bindje të plotë se gjitha detyrimet që kishte për të përmbushur Shqipëria ndaj Bashkimit Evropian, ndaj qytetarëve të gjithë Shqipërisë tashmë janë përmbushur”.

Kështu u shpreh sot kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë një takimi me simpatizantët dhe anëtarët e kësaj force politike në Lushnjë, duke u ndalur gjerësisht në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe reformat integruese që përbëjnë angazhimin kryesor të kësaj qeverie.

“Pikërisht, pjesëmarrja e LSI-së në qeveri, është garancia e qytetarëve për realizimin e këtyre reformave. Dhe kjo nuk ka qenë një punë e lehtë por jashtëzakonisht e vështirë. Me qindra ligje, veprime qeverie, rregullore, investime fizike dhe teknologjike janë kryer në të gjithë vendin. Që shqiptarët të mos rropaten më pa punë dhe pa ndihmë pranë vendeve të huaja”, shtoi ai.

Duke përmendur më tej faktin se shumë shpejt LSI-ja e Lushnjës do të ndihmojë dhe në procesin e riorganizimit në mënyrë shembullore dhe demokratike ashtu siç ndodhi dhe në Tiranë.

“Dhe gjithashtu do të jetë shumë e rëndësishme prania e vajzave dhe grave në parti, dhe në këtë takim të Lushnjës unë shoh praninë e tyre të pastër dhe të kontributin e tyre. Dhe mbi të gjitha kjo do të ndihmojë në rritjen dhe fuqizimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim”, tha më tej kreu i LSI-së.

Në fund, shtoi se heqja e vizave me Bashkimin Evropian, e cila është e afërt, përbën një moment dinjiteti dhe krenarie për të gjithë qytetarët tanë.

“Tashmë ne jemi të bindur se e vetmja gjë që mungon në integrimin tonë evropian është, për fat të keq mungesa totale e kontributit të opozitës sonë. Dhe kjo është vërtet një përgjegjësi e madhe e tyre. Vetëm pak ditë më parë, opozita bllokoi ligjin për Gjykatën Administrative, një program i rëndësishëm i financuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga ato të Bashkimit Evropian dhe është për të ardhur keq që opozita jonë iu përgjigj negativisht thirrjes për të bashkëpunuar. Jo vetëm duke dëmtuar interesat e qytetarëve dhe taksapaguesve shqiptarë por edhe krijimin e institucioneve të nevojshme për të mirën e qytetarëve”, tha ai.

n.e/NOa

KOMENTE