English

Meta: Opozita nuk ka program, ndaj jep kontribut negativ

Lushnjë, 2 tetor, NOA – Gjatë një takimi me simpatizantë të partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, lideri i kësaj force politike dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta tha nga qyteti i Lushnjës se “lëvizja e lirë e shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian do të bëhet realitet shumë shpejt”.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, akuzoi ndërkaq opozitën se po kërkon të pengojë procesin e integrimit të vendit. Sipas tij opozita e drejtuar nga Edi Rama nuk ka një program.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Ilir Meta theksoi se “Mungesa e kontributit të opozitës është shumë negative dhe Partia Socialiste nuk iu përgjigj thirrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për miratimin e ligjit për Gjykatën Administrative”.

Ai e cilësoi negativ këtë hap të opozitës që sipas Metës dëshmon mosdëshirën e opozitës për të bashkëpunuar për realizimin e reformave të rëndësishme, sikundër ishte edhe miratimi i ligjit për Gjykatat Administrative, i cili edhe pas ultimatumit të SHBA-ve në fillimjavë, nuk ndryshoi qëndrimin e socialistëve, të cilët e kushtëzuan miratimin e ligjit me miratimin e një pakete nismash, ku kërkohej nisja sa më parë e hetimit të kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe moskushtëzimi i afatit të këtij komisioni hetimor.

Pas thirrjes nga SHBA-të dhe kryetarja e Kuvendit, Topalli opozita e braktisi seancën plenare të së enjtes, duke bërë që ligji për Gjykatat Administrative të mos votohej, pasi kërkon një shumicë të cilësuar votash, prej 3/5.

mit/NOA
KOMENTE