Durrës, 2 Tetor, NOA – Forcat e policisë së Durrësit kanë goditur një grup të vënies në qarkullim të monedhës euro të falsifikuar, duke sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2.000 euro kartmonedha të falsifikuara.
Ngjarja konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke bërë me dije se gjithçka është mundësuar të kryhet me sukses nën operacionin policor të koduar “Vollga”, duke arrestuar në flagrancë dy persona dhe kanë shpallur në kërkim një të tretë.
Konkretisht, emrat e të ndaluarve janë Romeo Çuka, 19 vjeç dhe Rigens Maksuti, 22 vjeç, ndërsa u bë shpallja në kërkim dhe po vazhdon puna për kapjen e 25-vjeçarit E.Greca, 25 vjeç; që të tre banues në Shijak.
Arrestimi u dy të parëve u bë për arsye se në orët e mbrëmjes së djeshme, në një lagje të Durrësit, u kapën me një sasi prej 2 mijë euro kartmonedha, të prerjes 20 euro, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara
Nga hetimet e deritanishme rezulton se i përfshirë në këtë veprimtari është edhe E.Greca, të cilit gjatë kontrollit të banesës iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale edhe një armë zjarri, pistoletë e kalibrit 8 mm, si dhe 14 copë fishekë, te cilat i mbante pa leje.
Nga hetimet e deritanishme mendohet se sasia e lartpërmendur e euros ka hyrë në Shqipëri nga Italia dhe ishte e destinuar për tregun e brendshëm.
Ndërkaq, në bashkëpunim me prokurorinë e Durrësit vazhdon kryerja e hetimeve të mëtejshme me qëllim identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet të paligjshëm.
Materialet proceduriale për veprat penale të falsifikimit të monedhave dhe prodhimit e mbajtjes pa leje e armëve luftarake iu kaluan prokurorisë së Durrësit.
n.e/NOA