English

Pasqyra e Shtypit, 2 Tetor 2010

Tiranë, 2 Tetor, NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Shtunë, 2 Tetor 2010. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.

Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor të ditës së sotme kërkesën e PD-së për heqjen e mandatit të deputetit socialist, Ilir Beqja. Ato paraqesin edhe paralajmërimin për padi ndaj Ramës nga ministrja Bregu, pas akuzave se ka lidhje me mafiozin e kapur 3 ditë më parë në Vlorë. Ndërkaq, një argument tjetër i të përditshmeve sot është edhe ai i vrasjes së një rumuneje në Berat, nga bashkëjetuesi i saj shqiptar.

E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Kunati i Bregut, bleu pronën e mafiozit”, i cili citon faktin sesi Albino Prudentino, kapo i “Sacra Corona Unita”, i kapur pardje në Vlorë, ka lidhje ortakërie në biznes me motrën e ministres Bregu.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “KQZ, si do të zhvillohen zgjedhjet vendore”, referuar përgatitjeve për zgjedhjet e reja nga KQZ.

“PD: Ilir Beqjas t’i hiqet mandati i deputetit, shkeli Kushtetutën”, është një artikull që citon kërkesën e PD për largimin e deputetit socialist nga grupi parlamentar i PS.

“PS: Kushtet e komisionit të ri hetimor për zgjedhjet” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

Gazeta “Panorama” publikon si artikullin e saj kryesor ditën e sotme atë me titullin “Djali i mafiozit/ Frika nga sekuestrimi, djali i Prudentinos shet pronat”, i cili tregon detaje nga tjetërsimi i pronave të mafiozit që u arrestua pak ditë më parë në Vlorë.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “PD mbledh firmat, t’i hiqet mandati deputetit Ilir Beqja ”.

Ndërkaq, në këtë të përditshme do të gjeni artikullin me titullin “Universiteti i Tiranës, mbeten 170 vende bosh”.

Artikull tjetër i kësaj gazete në kuadrin e pronave është edhe ai me titullin “Berat, 45-vjeçari vret me thikë të dashurën rumune”.

“Gazeta Shqiptare” ka si titull kryesor të saj “Përgjimet, ortaku i Bregut në aferat e Prudentinos”, i cili tregon rezultatet e përgjimit të Albino Prudentinos dhe aludimet se ka lidhje ortakërie me motrën e ministres Majlinda Bregu.

“Xhaxhait të deputetit Babasi i shemben 5 furra gëlqereje”, është një artikull tjetër i kësaj të përditshmeje i cili i referohet aksionit të ministrisë së Mjedisit.

Ndërsa në një artikull tjetër në këtë të përditshme do të lexoni atë me titull “PD: T’i hiqet mandati deputetit Ilir Beqja, kishte biznes privat”.

“Inva Mula shkëlqen për tre orë në sallën e Teatrit të Operas” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

Gazeta “Shqip” hapet me titullin kryesor “Kryemafiozi, shumë biznese në Tiranë”, i cili tregon sesi përfaqësuesi i Sacra Corona Unita, i arrestuar në Vlorë, ka shumë biznese jo vetëm në qytetin bregdetar, por edhe në Tiranë.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “PS-PD, betejë me mandate dhe dorëheqje”.

Ndërsa çështja e largimit dy ditë më parë të deputetit Paulin Stërkaj nga grupi i PD-së, mbërrin në numrin e sotëm të kësaj gazete përmes artikullit “Efekti Stërkaj, PD humbet shumicën në komisione”.

“KLD vendos për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin kryesor “Kuvendi, gati për heqjen e mandatit të Ilir Beqjas”, i cili i referohet kërkesës që po përgatit selia blu për heqjen e mandatit të deputetit Ilir Beqja, pasi e akuzon atë se ka patur biznes kur qe deputet.

Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Ministrja Bregu: Padi penale Ramës për shpifje dhe fyerje”.

Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Berat, 45-vjeçari vret të dashurën rumune: Donte të kthehej në Greqi”.

Ndërsa në rubrikën “kulturë” do të lexoni “Uran Butka sjell ‘Mitin e Haxhi Qamilit”.

n.e/NOA

KOMENTE