Tiranë, 2 tetor, NOA – Selia blu ka vijuar sot akuzat ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Ilir Beqja, për të cilin një grup deputetësh demokratë kërkuan heqjen e mandatit të tij të deputetit, për shkak të përfitimit të fondeve publike.
Deputetja demokrate Mesila Doda deklaroi sot se deputeti Ilir Beqja ka shkelur imunitetin e deputetit duke përfituar mëse 240 milion lekë nga taksapaguesit.
Zonja Doda e akuzoi deputetin socialist se edhe në deklaratën e djeshme ka gënjyer opinionin publik, pasi në 17 shkurt të këtij viti ai ka përfituar shumën prej 246 milionë lekësh.
Madje sipas deputetes demokrate, deputeti Beqja, vetëm një ditë pas daljes nga greva e urisë ka marrë këstin tjetër të fondit nga Bashkia e Durrësit, që sipas deputetes mesila Doda ia ka bërë edhe më të shijshme grevën e urisë, deputetit socialist.
Deputetja demokrate i kërkoi sakaq deputetit Ilir Beqja të vërë në dispozicion të hetimit të gjitha kopjet e arkivuara të mandateve.
Ajo e cilësoi këtë përfitim me fondet publike si dimensionin më të frikshëm të babëzisë, pas zbulimit të aferave të kryebashkiakut Edi Rama, i cili akuzohet për gjobëvëniet mbi lejet e ndërtimit, me plot 100 milionë euro përfitim, vetëm sa i përket projekti të ndërtimit të 35 katësheve te Diga e Liqenit Artificial.
mit/NOA