English

Pronarët e ligjshëm: Ndryshimet në ligjin e pronave antikushtetuese, duhet ligj i ri

Tiranë, 2 tetor, NOA – Ligji për Kthimin dhe Kompesimin e pronave të ndryshuar, një ligj, i cili u kthye për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pasi shkelte kushtetutshmërinë e pronës private dhe të drejtën legjitime të pronarit të saj, ligj, të cilin mazhoranca e miratoi para pak ditësh pa votat e opozitës, e ka kundërshtuar edhe Shoqata "Pronësi me Drejtësi".

Krerët e kësaj shoqatë dhe pronarët që e përbëjnë atë, në një mbledhje të zhvilluar sot kanë hartuar një rezolutë, në të cilën ndryshimet e bëra në ligjin e pronave vlerësohen se shkelin kushtetutën.

Kryetari i kësaj shoqatë, Agim Toro theksoi gjatë kësaj mbledhjeje se "ndryshimet e fundit në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave janë antikushtetuese dhe shkelin parimin e të drejtave të fituara dhe sidomos parimin e sigurisë juridike”.

Toro nënvizoi se ndryshimet e miratuara në kuvend synojnë të pengojnë pronarët e ligjshëm që t’i drejtohen Gjykatës Evropiane të Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut, për të kërkuar të drejtën e tyre mbi pronën e trashëguar me ligj.

Pronarët e ligjshëm të pronave, të ashtuquajtur tashmë si ish-pronarët, për shkak të ligjit 7501 që u dha tokën atyre që e kishin në përdorim dhe nuk ua ktheu pronarëve, të cilëve u ishte konfiskuar prona me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, kërkojnë me anë të kësaj rezolute që "Brenda vitit 2010, Qeveria të përgatisë projektin e një ligji të ri për kthimin dhe kompesimin e pronave, i cili të marrë parasysh rekomandimet e Gjykatës Evropiane të Lirive Themelore të Njeriut duke i dhënë përparësi kthimit fizik të pronës.

Sipas Toros, “Ky ligj, duhet të diskutohet hollësisht me Shoqatën "Pronësi me Drejtësi, si grupi më i rëndësishem i interesit", citoi kreu i saj, Agim Toro.

Ish-pronarët mendojnë se me anë të kësaj rezolute pronarët për dy vite nuk mund t’i drejtohen Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) për pronat e tyre.

Gjithashtu ata vlerësojnë se fatura e kompesimeve të pronave të tyre në lekë arrin në miliarda euro dhe jo ajo e deklaruar ne projektligj.

"Në kushtet aktuale procesi i kompesimit është i pamudnur të realizohet, pasi fatura financiare i kalon të 30 miliard eurot’, deklaroi kreu i kësaj shoqate Agim Toro.

Pronarët e ligjshëm, të cilët quhen rëndom si “ish-pronarë” ende ndihen të nëpërkëmbur nga shteti shqiptar, i cili në emër të votave i ka gënjyer shpeshherë duke mod u dhënë asgjë, as atë që u takon dhe e kanë të trashëguar me ligj, një frymë që ende nuk është çrrënjosur nga mendjet e politikanëve shqiptarë që drejtojnë vendin.

mit/NOA
KOMENTE