English

PS: Ik zonja Bregu, je turpi i qeverisë së paturpësisë

Tiranë, 2 tetor, NOA – “Ik zonja Bregu se ti je turpi i kësaj qeverie, kësaj qeverie të paturpësisë, që vodhi votat e mbylli kutitë për të vjedhur Shqipërinë e mbyllur në oborrin e saj pasurinë e shqiptarëve”.

Selia rozë e ka cilësuar një turp të qeverisë Berisha, ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, mbi të cilën kanë rënë akuzat e opozitës për përfshirje të kunatit të saj në një biznes me djalin e njërit prej krerëve të organizatës kriminale pulieze, “Sacra Corona Unita”, kreu i të cilës, Albino Prudentino, i ati i Angelo Prudentinos i arrestuar në Vlorë ditën e fundit.

Deputetja socialiste Ermonela Felaj deklaroi sot në një konferencë për shtyp se “fakti që ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu e mbrojti dje Angelo Prudentinon konfirmon se edhe ajo vetë është e përfshirë në këtë biznes”.

Deputetja Felaj ka ripërsëritur për mediat se “Angelo Prudentino është as më shumë e as më pak sesa i biri i njërit prej kapove, të njërës prej organizatave më të mëdha kriminale, “Sacra Corona Unita”, dhe fakti që paratë e këtij soji kanë hyrë në Shqipëri, dëshmon se mbrapa zonjave Bregu të lojërave të fatit, qëndron pushteti i kalbur deri në palcë i Sali Berishës, i cili i di të gjitha dhe prej muajsh është strukur si lepur përballë fakteve të transparencës sonë”.

Zonja Felaj i rikujtoi pyetjet e drejtuara nga opozita ministres së Integrimit, ditë më parë, ku opozita cekte lidhjet e saj me korrupsionin dhe botën e mafias, pyetje të cilat sipas PS-së, ministrja Bregu nuk i mori parasysh.

“Tani jemi ne që ju themi largohuni, ikni, fshihuni në shtëpinë e padeklaruar dhe përgatituni për t’u përballur me drejtësinë”, tha deputetja socialiste, duke nënvizuar se dje në deklaratën e saj, ministrja jo vetëm nuk u distancua nga Angelo Prudentino, por e mbrojti atë si njeri të pastër, duke konfirmuar përfshirjen e saj në këtë çështje.

Deputetja e PS-së, Ermonela Felaj theksoi se “Është koha ta largojmë këtë qeveri të zhytur në llumin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të çojmë para drejtësisë këto shpërdorime kriminale të detyrës, që këta njerëz i bëjnë pa dashur t’ia dinë për ligjin”, tha Felaj, duke ironizuar kundërpërgjigjet e mazhorancës, që mbrohen me paturpësi, duke kundërakuzuar se “PS i shpik akuzat për të penguar integrimin e vizat”.

mit/NOA
KOMENTE