English

Rama mbron deputetin: Beqja u tërhoq nga projekti, kur u betua si deputet

Tiranë, 2 tetor, NOA, Update – Nga qyteti i Shkodrës ku zhvilloi turin e tij të takimit me simpatizantë të Partisë Socialiste, kryetari i opozitës, Edi Rama mbrojti deputetin socialist, Ilir Beqja, për të cilin një grup deputetësh të PD-së kanë kërkuar heqjen e mandatit të deputetit, për shkak të përfitimeve të fondeve publike.

“Ilir Beqja duhet të lërë mandatin, sepse paska marrë pjesë në një garë me kompaninë e tij në dimrin e vitit të shkuar. Po pse Ilir Beqja, në dimrin e vitit të shkuar nuk paguhej si deputet i Republikës së Shqipërisë bashkë me gjithë të tjerët, sepse e dashtuna zonja Jozefinë thoshte se “nuk kanë mandat se s’kanë ba betimin”, ironizoi kryesocialisti Rama kërkesën për heqjen e mandatit të deputetit Beqja.

Lideri i opozitës tha sakaq se “Ky është një rast që tregon sesi ndryshojmë dhe ku ndryshojmë ne me ta, sepse në momentin kur deputeti ynë është betuar dhe e ka marrë mandatin është tërhequr dhe nuk ka marrë pjesë në fazën e tretë të projektit, duke ndalur funksionimin e kompanisë për çdo garë ku përfshihen të ardhurat nga buxheti. Ky është ndryshimi i madh midis nesh dhe atyre”, nënvizoi kreu i socialistëve.

Ai theksoi për militantët shkodranë se PS është në këtë betejë për transparencë pasi socialistët duan t’i japin shqiptarëve një shtet.

Andaj sipas Ramës socialistët i kanë bërë llogaritë, dhe se ata e kanë privuar veten nga shumëçka që nuk e privon një qytetar i zakonshëm.

“Së dyti kur ne akuzohemi për çfarëdo qoftë, ne japim përgjigje dhe bëjmë transparente çështjet tona, njësoj siç bëjmë transparente çështjet për të cilat akuzojmë qeverinë”, përfundoi Rama, këtë koment duke mbrojtur deputetin e Partisë së tij, Ilir Beqja.

mit/NOA
KOMENTE