English

Rama: Transparenca, beteja jonë për t’ u dhënë shqiptarëve një shtet të drejtë

Shkodër, 2 tetor, NOA Update - “Zgjedhjet u vodhën që të vidhet Shqipëria. Prandaj, transparenca është beteja jonë për t’u dhënë shqiptarëve një shtet të drejtë”.

Kështu u shpreh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë takimeve që zhvilloi në qytetet e Shkodrës dhe Lezhës, në kuadrin e turit “Largohu: Shqipëria kërkon transparencë, drejtësi, zhvillim”.

Rama foli për situatën e vështirë që po kalon vendi si në aspektin ekonomik ashtu dhe atë social dhe akuzoi për këtë qeverinë, e cila sipas tij nuk shqetësohet për hallet e popullit sepse e ka vjedhur pushtetin për t’ u pasuruar në kurriz të tij.

Ai përsëriti edhe njëherë zotimin e Partisë Socialiste për t’ i shkuar deri në fund çështjes së transparencës si për zgjedhjet ashtu edhe për abuzimet e aferat korruptive ku është përfshirë oborri në pushtet.

“Në qoftë se qeveria ta merr votën edhe kur nuk ja jep atëherë nuk ka pse të shqetësohet se çfarë halli ke, se çfarë shqetësimi ke, e jo më pastaj se çfarë dëshirash dhe çfarë shpresash të ushqejnë. Përkundrazi bëhet siç po ndodh, në çdo hap e më arrogante, e më abuzive, e më e korruptuar, e më e babëzitur, pa dashur t’ia dijë fare se ku jeton e si jeton një popull i tërë. Kjo është arsyeja ku ndahen qysh në themelin e tyre qeveritë demokratike nga qeveritë despotike”, tha ai lidhur me një fakt të tillë.

Duke shtuar se selia rozë është e vendosur që ta bëjë transparencën e 28 qershorit deri në fund.

‘Ne do t’ju tregojmë shqiptarëve deri në fund se kush i sundon me vota të vjedhura. Ne do t’i shkojmë deri në fund këtij procesi dhe do të bëjmë gjithçka mundemi, jo vetëm për të nxjerrë lepurin nga strofulla por edhe çakejtë, hienat, urithët madje edhe arushën e madhe nga pylli i korrupsionit”, përfundoi ai.

n.e/NOA

KOMENTE