Shkodër, 2 tetor, NOA – “Ne do ta bëjmë transparencën deri në fund”. Kështu ka deklaruar lideri i opozitës, Edi Rama në takimet e tij me militantë të Partisë Socialiste në qytetet e Shkodrës dhe Lezhës.
Me lajtmotivin e këtij turi “Largohu, Shqipëria kërkon transparencë, drejtësi, zhvillim”, kryesocialisti Edi Rama deklaroi para simpatizantëve se “Ne do t’u tregojmë shqiptarëve deri në fund se kush i sundon me vota të vjedhura. Ne do t’i shkojmë deri në fund këtij procesi dhe do të bëjmë gjithçka mundemi, jo vetëm për të nxjerrë lepurin nga strofulla, por edhe çakejtë, hienat, urithët, madje edhe arushën e madhe nga pylli i korrupsionit”, tha zoti Rama.
“Në qoftë se qeveria ta merr votën edhe kur nuk ia jep, atëherë nuk ka pse të shqetësohet se çfarë halli ke, se çfarë shqetësimi ke, e jo më pastaj se çfarë dëshirash dhe çfarë shpresash të ushqejnë”, bëri me dije lideri socialist.
Andaj sipas Ramës, qeveria e Berishës është në çdo hap e më arrogante, më abuzive, e më e korruptuar, e më e babëzitur, pa dashur t’ia dijë fare se ku jeton e si jeton një popull i tërë.
“Kjo është arsyeja ku ndahen qysh në themelin e tyre qeveritë demokratike nga qeveritë despotike”, nënvizoi kreu i PS-së.
Kryesocialisti Edi Rama ripërsëriti edhe njëherë zotimin e Partisë Socialiste për të bërë transparencën për zgjedhjet e vjedhura të 28 qershorit dhe abuzimet e aferat korruptive ku është përfshirë oborri në pushtet.
mit/NOA