English

Rrezikohen 1 mln USD, Qeveria thirrje OJF-ve për aplikim

Tiranë, 2 tetor, NOA/Blerina Ahmetaj - Për herë të dytë, qeveria rrezikon të djegë fondin e veçantë për mbështetjen financiare të shoqërisë civile, nëse kjo e fundit nuk aplikon për projekt-ide deri në datën 15 tetor, afati i lënë nga agjencia për mbështetjen e shoqërisë civile.

Në një dalje për mediat, drejtori ekzekutiv i agjencisë, Rudi Bobrati tha se nëse vitin e shkuar ky fond u dogj pasi agjencia nuk ishte krijuar ende, këtë vit ende ka shpresa për të mos ndodhur e njëjta gjë.

Bobrati ka ftuar shoqërinë civile të bëhet pjesë e panairit të ideve, i cili do të shpallë fituesit e koncept-ideve në datën 30 tetor.

Ndonëse koha e përgatitjes së shoqërisë civile duket e pakët, vetëm 10 ditë, agjencia për mbështetjen e shoqërisë civile ka menduar të ofrojë 10 pika ku OJF-të mund të mbështeten për idetë e tyre.

“Me koncept-idetë e përzgjedhura do të organizohet në Tiranë, më 30 tetor pranë Hotel Rogner Europapark, "Panairi i Ideve", ku cilido i interesuar, në funksion të konkurimit të barabartë dhe të një transparence maksimale, mund të lexojë koncept-idetë e përzgjedhura. Aplikuesit, koncept-idetë e të cilëve janë përzgjedhur, do të ftohen të sjellin (po me rrugë postare), projekt-propozimet e tyre të plota. Dhe pas vlerësimeve të projekt-propozimeve, me 15 nëntor do të bëhet shpallja e projekteve fituese dhe do të nisë lidhja e kontratave”, tha Bobrati.

Drejtori i agjencisë tha se vitin e ardhshëm thirrja drejtuar shoqërisë civile do të jetë më e shpejtë dhe me të tjera alternativa idesh.

Ligji për ngritjen e funksionimin e agjencisë për mbështetjen e shoqërisë civile u miratua në Kuvendin e Shqipërisë në mars të vitit 2009, por vetëm në vjeshtë u nisën procedurat për ngritjen e agjencisë.

Meqënëse afatet e ngritjes së kapaciteteve zgjatën, fondi i destinuar nga qeveria për shoqerinë civile u dogj.

Agjencia është e përbërë nga një bord prej 9 anëtarësh, ku 5 prej tyre janë përfaqësues të OJF-ve, të përzgjedhur nga shoqëria civile, ndërsa 4 anëtarë të tjerë janë punonjës të administratës qendrore publike.

b.a/mit/NOA
KOMENTE