English

Arratisja e të dënuarit, arrestime dhe shkarkime të zyrtarëve të burgut të Shën-Kollit

Lezhë, 3 tetor, NOA, Update – Policia e Lezhës ka ndërmarrë masë administrative për normalizimin e punës në burgun e Shën-Kollit në Lezhë, menjëherë pas arratisjes dje pasdite të të dënuarit Admir Bahri Tafilaj, vrasësit të kryepolicit të Shkodrës, Arben Zylyftari, i cili shfrytëzoi lejen e veçantë për tu arratisur, një leje e dhënë nga drejtoria e këtij institucioni.

Prokuroria e Shkodrës ka arrestuar për shpërdorim detyre sot Shefin e Sigurisë së burgut të Lezhës, 42 vjeçarin Nazmi Demirxhiu, Shefin e Shëndetësisë, së burgut 38 vjeçarin Fatos Frangu ky i akuzuar edhe për dhënien e ndihmës ndaj të dënuarit për t’u larguar, si dhe tetë punonjës të policisë, të cilët kanë shoqëruar të dënuarin gjatë lejes së veçantë, kur ai shkoi të takonte njerëzit e shtëpisë.

Policët e arrestuar janë 43 vjeçari Sabah Selmani banues ne Milot, me detyrë punonjës i togës së shoqërimit në burgun e Shën-Kollit; 50 vjeçari Gjon Lleshgega, banues në Lezhë, me detyrën e përgjegjësit të togës së shoqërimit; 38 vjeçari Arben Lazri, banues në Lezhë, me detyrë punonjës i togës së shoqërimit në burgun e Lezhës; 38 vjeçari Alban Martinaj; 49 vjeçari Gjok Marku; 41 vjeçari Viktor Jaku; 30 vjeçari Gazmir Çoku; 39 vjeçari Geg Gjeci, që të tetë policët, punonjës të togës së shoqërimit të burgut të Shën-Kollit të akuzuar tashmë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Kjo furtunë arrestimesh dhe shkarkimesh erdhi për shkak se në 1 tetor Genc Bahri Tafili, 31 vjeç, i dënuar me 16 vjet heqje lirie për “Vrasje” dhe Admir Bahri Tafili, 34 vjeç, i dënuar me 20 vjet heqje lirie për vrasjen e kryepolicit të Shkodrës Arben Zylyftari, që të dy të dënuarit lindur e banues në lagjen “Ahmet Haxhija”, në Shkodër, kanë përfituar leje të posaçme nga burgu i Shën-Kollit, që nga ora 09.00 - 18.00 të datës 2 tetor, të vizitonin familjarët e tyre në banesë, me arsyen se nëna e tyre ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas policisë së Shkodrës në 2 tetor rreth orës 11.30 të dy të dënuarit të shoqëruar nga shërbimet e policisë së burgut të Lezhës kanë mbërritur në shtëpinë e tyre dhe vetëm rreth orës 14.30 është konstatuar nga efektivët e policisë se i dënuari Admir Tafili ishte larguar nga ambjentet e banesës, ndërsa qëndronte me bashkëshorten duke u arratisur nëpërmjet dritares së dhomës së gjumit.

Më pas janë lajmëruar shërbimet policore të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës, kohë kur nisi edhe kërkimi intensiv për të kapur të dënuarin.

Tashmë prokuroria e Shkodrës ka ngritur edhe grupin hetimor për dokumentimin e ngjarjes.

Admir Tafili pas arrestimit të tij në vitin 2001 u dënua me 20 vjet burg për vrasjen e kryepolicit të Shkodrës, Arben Zylyftarit, ndërsa i vëllai i tij Genc Tafili ishte dënuar me 16 vjet burg për vrasjen e ish shefit të Krimeve të Malësisë së Madhe, Pjetër Pjetrushi. Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim të arratisurin, vrasësin e drejtorit të Policisë së Shkodrës, Admir Tafili, ndërsa vëllai i tij, Genc Tafili, i cili pas mbarimit të orës së lejes u gjet në shtëpi është kthyer në burg, për të vuajtur dënimin.

Po kështu Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shkarkuar drejtuesin e IEVP-së së Lezhës, Mark Lleshi dhe në vend të tij ka emëruar si drejtues të komanduar Shkëlqim Kalemin.

Burime nga kjo drejtori thonë se janë komanduar gjithashtu edhe disa oficerë policie në stafin drejtues të këtij institucioni.

mit/NOA
KOMENTE