English

Kurorëzimi i patriarkut serb në Pejë, Kosova: Pranga serbëve që vijnë pa leje!

Pejë, 3 tetor, NOA Update - Të gjithë ata zyrtarë serbë, të cilët do të hyjnë sot në territorin e Kosovës pa leje nga institucionet, për të marrë pjesë në kurorëzimin e kreut të kishës ortodokse serbe në patriarkanën e Pejës, do të arrestohen.

Ky është vendimi i komunikuar për mediat nga numri dy i qeverisë së Kosovës, zv/kryeministri Hajredin Kuçi, sipas të cilit, arrestimet e mundshme do të ndërmerren për të gjithë për zyrtarët shtetërorë serbë që do të duan të vijnë në ceremoni dhe nuk kanë marrë leje zyrtare.

“Vetëm Tadiç ka leje, jo të tjerët dhe ai me kusht që të marrë pjesë dhe të sillet në përputhje me ceremonitë religjioze”, theksoi Kuçi lidhur me një fakt të tillë.

Ndërkaq, mediat serbe kanë bërë me dije se personalitete të tilla si kryetari i partisë Progresive Serbe, Tomislav Nikoliç apo ish-kryeministri serb, Vojslav Koshtunica, do të marrin pjesë në ceremoninë e inaugurimit të patriarkut Irinej në formë private dhe prandaj sipas tyre, leja zyrtare nuk paraqet rëndësi.

Ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë sot në Pejë, ndërsa mësohet se mëse 900 forca të Policisë së Kosovës dhe Eulex janë angazhuar për çdo tension të mundshëm dhe të mbikëqyrin situatën.

n.e/NOA

KOMENTE