Elbasan, 3 tetor, NOA - Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, gjatë turit të takimeve me anëtarësinë dhe simpatizantët e kësaj force politike, u ndal në qytetin Elbasanit, ku i garantoi se “LSI do të përmbushë me përgjegjësi çdo detyrim ndaj vendit, ndaj programit dhe premtimeve tona”.
“Me komunitetin e biznesit dhe investitorëve, me ata të cilët me më shumë mbështetje nga ana e qeverisë do të mund të arrijnë një zhvillimi më të madh ekonomik dhe mbi të gjitha më shumë mundësi. Ky do të jetë dhe objektivi ynë më i rëndësishëm që kemi shpallur edhe para zgjedhjeve të 28 qershorit. Ky është një angazhim i madh, jo vetëm i kryetarit të LSI-së, por dhe në pozicionin e ri si ministër ekonomie”, u shpreh ai.
Duke shtuar se procesi i hapjes dhe modernizimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, procesi i funksionimit më të mirë të strukturave të saj dhe lidhjeve të forta me komunitetin kudo që ndodhet do të sjellë një parti akoma më të fuqishme, akoma më përfaqësuese për çdo komunitet dhe për komunitetin e Elbasanit.
Sipas Metës, LSI asnjëherë nuk mund të ndërmarrë veprime apo iniciativa të cilat mund
të jenë në dëmtim të integrimit evropian, ndaj i ka bërë thirrje Partisë Socialiste, që për shkak të axhendës së kryetarit të saj të mos shumëzojë me zero gjithë kontributin që kjo forcë politike ka dhënë për dy dekada për integrimin e vendit në NATO dhe në strukturat evropiane.
“Dhe natyrisht që opozita ka të drejtë të na kritikojë, por ne kemi një pyetje. Cili është kontributi i opozitës në 1 vit për integrimin e vendit, cili është kontributi për një vit për liberalizimin e vizave. Cili është kontributi që ka dhënë për përmirësimin e biznesin, për reformën në drejtësi dhe shumë çështje të tjera të cilat nuk kanë të bëjnë me qeverinë .Por kanë të bëjnë me shqiptarët dhe shtetin. Pra, me të ardhmen evropiane të të gjithë vendit tonë”, përfundoi fjalën e tij, kreu i LSI-së, Ilir Meta.
n.e/NOA