Pejë, 3 tetor, NOA – Patriarku serb Irinej, ndodhet sot në qytetin e Pejës, për të zhvilluar ceremoninë e tretë të inaugurimit si kryetar i kishës ortodokse serbe, pas dy të tillave të zhvilluara në janar në Beograd.
Një ngjarje e tillë pritet që të shkaktojë tension mes palëve dhe prandaj pala kosovare si edhe prania ndërkombëtare, janë përgatitur që t’i shmangin ato.
Policia e Kosovës, KFOR-i dhe policia e EULEX-it janë zotuar që të ruajnë rendin dhe sigurinë gjatë këtij inaugurimi.
Ndërkaq, bëhet me dije se kryetari i Komunës së Pejës, Ali Berisha, ka refuzuar ftesën e kishës ortodokse serbe që të marrë pjesë në inaugurimin e patriarkut Irinej, pasi në të sipas tij, nuk janë ftuar autoritetet e shtetit të Kosovës.
Janë mëse 900 forca policie të Kosovës, të cilët së bashku me KFOR-in dhe EULEX-in do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për sigurimin dhe garantimin e plotë të sigurisë, duke përfshirë edhe përcjelljen e grupeve apo delegacioneve të ndryshme që do të vijnë në Kosovë.
Ndërkaq, bëhet me dijeni se në ceremoninë e inaugurimit të patrikut Irinej, sipas njoftimit të Sinodit të Kishës Ortodokse Serbe, do të jetë i pranishëm edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ndërsa ministrat e qeverisë serbe pritet të marrin pjesë si qytetarë privatë.
n.e/NOA