Tiranë, 3 tetor, NOA – Zëdhënësi i Grupit Kuvendor të Partisë Demokratike, Genti Strazimiri ka ripërsëritur akuzat për shkelje të kushtetutës duke përfituar fonde publike ndaj deputetit socialist, Ilir Beqja duke deklaruar se “një nga mbrojtësit më të flaktë të Mr. 20%, Ilir Hamit Beqja, në konflikt të hapur interesi dhe në shkelje të kushtetutes, ka përfituar 240 milionë lekë”.
Duke iu referuar fakteve zyrtare, deputeti Strazimiri tha në një konferencë për shtyp se është tashmë e provuar se deputeti Ilir Beqja i ka përfituar fondet nga posti i deputetit.
“Nismën për heqjen e mandatit të tij, ne e kemi marrë në respekt të Kushtetutës e të ligjit, por edhe për të treguar papajtueshmëri institucionale e politike me këtë model të shëmtuar të korrupsionit”, tha Strazimiri.
Deputeti demokrat shprehu bindjen se korrupsioni nuk çrrënjoset lehtë andaj ai i bëri thirrje të gjitha institucioneve ligjore që të hetojnë këto afera korruptive duke i treguar sipas tij, vendin të keqes.
“Në mënyrë të veçantë, prokuroria shqiptare duhet t'u tregojë shqiptarëve se nuk pajtohet më me krimin, se korrupsionin nuk e fal”, vijoi deputeti demokrat.
Sipas tij mazhoranca ka treguar përgjegjshmërinë e saj qytetare, duke depozituar në prokurori kallëzimet, për të cilat prokuroria duhet sipas deputetit të PD-së, Gent Strazimiri të nisë menjëherë hetimet.
mit/NOA