English

PD: Rama t’i kërkojë falje e t’i tregojë pendesë popullit të Shkodrës

Tiranë, 3 tetor, NOA – Sekretari i Grupit Parlamentar të PD-së, Eduard Halimi deklaroi sot se kryesocialisti Edi Rama gënjeu popullin e Shkodrës, një ditë më parë kur tha se deputeti Ilir Beqja është modeli i socialistëve, të cilët nuk përfitojnë para për interesat e tyre, por punojnë në të mirë të vendit.

“Dje, Mr. 20% gënjeu popullin e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë kur tha se modeli i tij, i socialistëve të tij, dhe bllokmenëve të rinj, ishte Ilir Hamit Beqja”, the deputeti Halimi.

Deputeti demokrat theksoi në këtë konferencë se “Rama nuk mund të fshihet mbas këtij shkelësi të shëmtuar të Kushtetutës, sepse vetë është në themel të këtij sistemi korrupsioni, nga i cili ushqehet jo vetëm Beqja i bllokut të tij, por të gjithë ndërtues-politikanët, që kanë kapur PS-në”.

“Edvin Kristaq Rama gënjeu popullin e Shkodrës kur pretendoi pafytyrësisht se Ilir Hamit Beqja nuk ka marrë para si deputet nga Bashkia e Durrësit, pasi dokumentet që ne bëmë publike dje, tregojnë qartë, që jo vetëm i ka marrë 240 milion lekë, por me sa duket i ka marrë si shpërblim për veprimin e tij si kamikaz i Ramës në grevën e urisë”, pohoi deputeti demokrat.

Duke iu referuar mbrojtjes që rama i bëri publikisht dishepullit të vet, Beqja, deputeti i PD-së, Eduard Halimi i bëri thirrje kryesocialistit t’i kërkojë falje popullit të Shkodrës e të tregojë pendesë qytetare për fondet publike të përfituara nga deputetët e tij.

“Sot, Edvin Kristaq Rama duhet t’i kërkojë falje popullit të Shkodrës e të tregojë pendesë, madje t’u tregojë shqiptarëve se edhe sa nga deputetët e tij kanë përfituar fonde publike duke shkelur Kushtetutën për inat të Kryetares së Parlamentit”, tha Halimi, duke siguruar kryesocialistin se PD është e gatshme të bëjë transparent çdo fakt që dëshmon përfitime të paligjshme nga deputetët.

mit/NOA
KOMENTE