English

PS, Berishës: Mos u kap pas fijes së kashtës, por largohu

Tiranë, 3 tetor, NOA – Deputetja e Partisë Socialiste, Shega Ligori ka reaguar pas deklaratave të deputetit të PD-së Eduart Halimi duke i dalë në mbrojtje deputetit socialist, Ilir Beqja i akuzuar nga deputetët e mazhorancës për shkelje të kushtetutës.

“Kot kapeni zoti Berisha si i mbytur pas fijes së kashtës, sepse çështja e marrëdhënieve të Ilir Beqes me Kushtetutën e ligjin është e qartë si drita e diellit”, deklaroi deputetja Ligori.

Ajo i cilësoi akuzat e mazhorancës si të pavërteta, por që mazhoranca i bën për të mbuluar faktet mbi aferat korruptive të saj, që PS ka nxjerrë përpara opinionit publik.

“Ju s’keni faj, jeni në hall të madh zoti Berisha, pasi çdo ditë po nxjerrim para popullit të reja të tmerrshme për oborrin e pushtetit tuaj. Por balta që hidhni ndaj nesh nuk ju shpëton dhe aksioni ynë për demaskimin e këtij pushteti nuk ndalet para asgjëje”, nënvizoi zonja Ligori.

Ligori rishtas i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha të largohet nga pushteti bashkë me qeverinë e tij, pasi një pushtet pa vota është i destinuar të bjerë.

“Ikni zoti Berisha, largohuni, ikni megjithë dyzet hajdutët tuaj, nuk mbahet pushteti me vota të vjedhura dhe nuk futet dot tërë pasuria e shqiptarëve në oborrin tuaj të vjedhur”, apeloi deputetja socialiste, Shega Ligori.

mit/NOA
KOMENTE