Reportazh
Tiranë, 3 Tetor 2010 NOA Blerina Ahmetaj/ - Afërdita dhe Sabajetja janë dy shoqe që ndajnë dhomën e tyre në shtëpinë e të moshuarve në kryeqytet.
Të dyja të moshuarat kanë histori të ndryshme por fat të njëjtë, të dyja shtyjnë ditët e pleqërisë jo me familjarët e tyre.
Prej dy vitesh, të dyja zonjat e moshuara janë ambientuar me jetën e re në shtëpinë e të Moshuarve dhe pak nga pak kanë harruar historitë e tyre të trishtuara.
Afërdita tregon se nuk mendon më për faturat që duhet të paguajë me pensionin e saj, por sot ajo shpenzon gati 50 për qind të pensionit vetëm për veten, gjë të cilën se kishte bërë kurrë më parë.
“Dikur kur merrja pensionin s’dija ku ta çoja më parë, të paguaja dritat, ujin, apo të blija ushqime. Shihja frutat në treg dhe nuk i blija dot, pa llogaritur që gjithsej blija vetëm një kilogramë mish gjithë muajin.
Ndërsa sot në Azil i kemi të gjitha kushtet, ushqimin e bollëkshëm, kushtet e mira në dhomë, banjot e dushin me ujë të ngrohtë gjithë ditën. Shtetit i japim vetëm 50 përqind ndërsa pjesën tjetër e mbajmë vetë për qejf. Ku isha mësuar unë të pija kafe jashtë shtëpisë? Sot marr shoqet dhe e pimë një kafe pasdite jashtë”, tregon Afërdita.
Ndërsa nëna Sabajete ka harruar paksa dramën e jetës së saj, kur iu desh të rrisë e vetme vajzën e saj që sot ka tre fëmijë të rritur.
Gruas i ka vdekur bashkëshorti në moshë të re duke I lënë mbi supe barrën e rëndë të rritjes së fëmijës.
Fati e deshi që dhe vajza të mos kishte jetë më të mirë sociale dhe ekonomike, ndaj gruaja e moshuar vendosi të jetojë në shtëpinë e të moshuarve.
80 vjeçarja nga Tirana nuk u është zemëruar aspak familjarëve të saj përkundrazi u ka dhuruar atyre pasurinë e vetme të jetës, shtëpinë.
“Fëmija është gjëja më e shtrenjtë për nënën, asgjë s’ka më shumë rëndësi se kjo. Ndaj unë vendosa tu lë shtëpinë vajzës e fëmijëve të saj, sepse mua s’më duhet më për jetën time.
Në javën botërore të solidaritetit me të moshuarit shoqëria civile ofroi dhurata për shtëpinë e të moshuarve në Tiranë.
Përfaqësuesi i shoqërisë civile Edmond Stojku thotë se përkushtimi ndaj të moshuarve duhet të jetë moto e shoqërisë për të treguar respektin ndaj kësaj kategorie që me punën e tyre në vite kanë kontribuar për shoqërinë.
Solidariteti për të moshuarit do të vijojë dhe në shtëpitë e tjera të moshuarve në rrethe.
b.a/e.r/NOA