English

Unioni për Cilësinë e Jetës, aktivitete për të moshuarit

Tiranë, 3 tetor, NOA - Unioni Shqiptar për Cilësinë e Jetës filloi sot në Tiranë një fushatë veprimtarish në mbështetje të të moshuarve në Shqipëri, në kuadër të Javës Botërore kushtuar Moshës së Tretë.

Fushata e titulluar “Ju Jeni Të Shtrenjtë Për Ne” do të fillojë sot me një ditë në Shtëpinë e Pleqve në Tiranë.

Përveç vizitave të një numri personalitetesh, ndihmës konkrete ndaj të moshuarve, organizatorët do të ndajnë edhe shumë dhurata të dobishme për banorët e shtëpisë së pleqve.

Fushata do të vazhdojë me nismën sociale “Duke Firmosur Epokën Time”, e cila synon të realizojë një produkt artistik, që do të përdoret për të ngritur fonde në mbështetje të kësaj grupmoshe.

Më tej, Unioni Shqiptar i Cilësisë së Jetës do të mbajë edhe një takim të zgjeruar me institucionet që janë përgjegjëse në Shqipëri për moshën e tretë.

Fushata do të mbyllet me datë 7 tetor me veprimtarinë “Më Jep Një Përqafim”, e cila do të realizohet në Tiranë.

Kryetari i Unionit Shqiptar për Cilësinë e Jetës, Edmond Stojku tha se është krenar që organizata e tij është e para që nismon në Shqipëri praktikën e zbatimit të përgjegjësive sociale.

“Për herë të parë, një union organizatash të shoqërisë civile po nismon në vend kulturën e re të promovimit të përgjegjësive sociale, ndërsa ne përmbushim kësisoj edhe objektivat tona, krah për krah me sektorin privat”, sqaron ai.

“Njëkohësisht ne kemi shpresë se qeveria do të zgjerojë mundësitë që sektori privat të mbështesë aktivitete me dobi sociale dhe të përkrahë këtë prirje, që dëshmon maturi dhe seriozitet - nga ata si donatorë dhe nga ne si shoqata zbatuese të projekteve të ndihmës konkrete”, tha presidenti i ALQU, Edmond Stojku.

n.e/NOA

KOMENTE