Lezhë, 3 tetor, NOA - Arratisja e të burgosurit Admir Tafili, në orët e pasdites së djeshme, ka vënë në lëvizje të gjitha strukturat e policisë, të cilat kanë kryer arrestime të bujshme në lidhje me këtë ngjarje.
Kështu, burime konfidenciale policore bëjnë me dije për agjencinë e Lajmeve se konkretisht, janë arrestuar 8 policët e grupit të shoqërimit, të cilët kishin për detyrë të mbikqyrnin të dënuarin gjatë respektimit të afatit të lejes që i ishte dhënë atij nga burgu i Shën-Kollit në Lezhë.
Përkatësisht, bëhet fjalë për orarin 09.00-18.00, gjatë ditës së djeshme, kur ai do të shkonte në familje pasi i ishte dhënë leje, gjithmonë nën shoqërimin e forcave të policisë të Lezhës.
Nga ana tjetër, bëhet me dije se është ndaluar edhe drejtori i burgut të Shën-Kollit në Lezhë, i cili ka firmosur dhënien e lejes ndaj të dënuarit të arratisur, si edhe vëllait të tij, me justifikimin se duhej të vizitonin nënën e sëmurë.
Sikundër, në pranga është vënë prej forcave të policisë edhe doktori i këtij burgi dhe shefi i policisë së Lezhës, Nazmi D.
Që të gjithë këta persona janë të dyshuar për implikim në veprën penale të arratisjes nga burgu, që kreu ditën e djeshme i burgosuri Admir Tafili, i dënuar me 16 vjet burg, i cili vuante dënimin në burgun e Shën-Kollit në Lezhë, e që kishte mundur të merrte një leje bashkë me vëllanë, i dënuar edhe ai, Genc Tafili.
Por me sa bëhet me dije, policia gjeti vetëm këtë të fundit në banesë, ndërsa ka shpallur në kërkim të arratisurin Admir Tafili.
I dënuari Admir Tafili është arrestuar në vitin 2001 pas një orë lufte me policinë, gjatë një operacioni për kapjen e tij dhe akuzohet pasi ka plagosur në Shkodër Pjetër Pjetrushin, ish-shef i Krimeve të Malësisë së Madhe.
Ndërsa vëllai i tij, Genc Tafili, njihet si i dënuar pasi dyshohet si autor për vrasjen e Arben Zylyftarit, ish-drejtori i Policisë së Shkodrës.
Nga ana e tyre, zyrtarët e drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë deklaruar lidhur me ngjarjen se “Mbi bazën e kërkesës dhe dokumentacionit të paraqitur, është miratuar dhënia e lejes së veçantë për të dënuarit Admir dhe Genci Bahri Tafilaj, lindur e banues në Shkodër, për të shkuar pranë familjes së tyre në qytetin e Shkodrës, pasi kishin nënën të sëmurë”.
Duke përfunduar se Admir Tafilaj është larguar nga banesa e tij, nëpërmjet dhomës
së gjumit ku po qëndronte bashkë me bashkëshorten, duke iu shmangur kështu detyrimeve që ai kishte për lejen e dhënë...(vijon)
n.e/NOA