English

Vangjel Tavo: Largohem nga grupi kuvendor i PS

Tiranë, 3 tetor, NOA – Deputeti i Partisë Socialiste, i zgjedhur për katër mandate rresht në qytetin e Gjirokastrës, Vangjel Tavo ka shpallur sot përmes një komunikate për mediat largimin e tij nga grupi kuvendor i saj, për të qenë një deputet i pavarur, por gjithnjë një deputet me bindje socialiste.

Në letrën e tij të largimit nga Grupi i PS-së, deputeti vangjel Tavo shkruan se arsyeja e këtij akti është shpërfillja e personalitetit të tij nga lidershipi socialist dhe nëpërkëmbja e mijëra zgjedhësve socialistë të Gjirokastrës.

“Me dhimbje të thellë dhe shumë i hidhëruar, i cënuar në personalitetin tim, të krijuar me punë e sakrifica, jo vetëm nga unë, por edhe qindra e mijëra socialistë të Gjirokastrës, të cilët shpërfillen prej kohësh, me moral dhe kurajo civile e politike, i detyruar nga rrethanat e krijuara në Partinë Socialiste, pas katër mandatesh i zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë si përfaqësues i Partisë Socialiste, detyrohem të distancohem nga lidershipi aktual dhe të bëj publike pavarësine time nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, për të qenë i lirë, që të shprehem e të veproj në përputhje me bindjet e mia politike, duke mbetur gjithmonë socialist”, shkruan deputeti i Gjirokastrës.

Ai shpjegon se akti i tij përligjet nga mospajtimi me humbjen e shume vlerave socialiste pranë kësaj partie dhe devijimi i PS-së nga modeli i respektimit të demokracisë së brendshme të mendimit, transparencës në vendimmarrje dhe organizimi i saj, organizim që realizohet vetëm nën urdhrat e lidershipit aktual, Edi Ramës.

“Sot kjo parti është personalizuar në qendër dhe në bazë, ku demokracia e brendshme është zëvendësuar nga autokracia, ku forumet e saj shpërfillen, ku injorohet jo vetëm baza e saj, por edhe deputetët, ku socialistet e vërtetë thirren vetëm për beteja elektorale dhe më pas harrohen”, vijon më tej mesazhi elektronik i deputetit Tavo.

Ai thekson faktin e rëndësishëm se tashmë njerëzit më pranë lidershipit të PS-së, janë pikërisht ata që shitën zgjedhjet në Gjirokastër, njerëz intrigantë dhe të paskrupull, që nuk reflektojnë por që luajnë vetëm rolin e servilit të kryetarit të Partisë Socialiste, vetëm e vetëm për të ruajtur dhe rritur përfitimet e tyre.

Sipas deputetit Vangjel Tavo, verbëria politike e lidershipit aktual po cënon hapur interesat e Partisë Socialiste dhe integritetin e socialistëve të ndershëm.

“Me sa duket është koha e disa maskarenjve që nuk kanë asgjë të përbashkët me socialistët e vërtetë, të cilët i kanë zënë frymën Partisë Socialiste dhe që përpiqen të mbajnë peng këtë parti, vetëm për interesat e tyre të ngushta”, vijon deklarata e largimit të deputetit Tavo.

Deputeti i zgjedhur për 14 vjet me radhë nga elektorati socialist i Gjirokastrës, thekson se ka marrë vendimin për largimin e tij nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, për të mos u bërë pjesë e kësaj maskarade politike, sipas tij.

“Nga pamundësia që të bashkëpunoj në të njëjtën familje me ta, detyrohem të marr këtë vendim duke qëndruar në Kuvendin e Shqipërisë, i vendosur për të mbrojtur deri në fund interesat e elektoratit tim”, përfundon deklaratën e tij të largimit, deputeti Vangjel Tavo.

Largimi i deputetit socialist, Vangjel tavo nga numrat e PS-së në Kuvend vjen disa ditë pasi deputeti Paulin Stërkaj deklaroi largimin e tij nga mazhoranca si deputet i Shkodrës, për t’iu bashkuar Partisë Socialiste.

mit/NOA
KOMENTE