Tiranë, 4 tetor, NOA, Update – Pak ditë pasi gazetat shqiptare dhe opozita ka vënë në shënjestër të akuzave për bashkëpunimin me organizatën kriminale pulieze, “Sacra Corona Unita”, ministren e Integrimit, Majlinda Bregu dhe kunatin e saj, bashkëshortin e të motrës Ornela Bregu, kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e Grupit Kuvendor të PD-së, i ka bërë thirrje prokurorisë të nisë sa më shpejt hetimet për të gjitha akuzat e bëra mes të dyja palëve, për korrupsion dhe afera të tjera.
Duke i dhënë përgjigje kështu kërkesave të vazhdueshme të opozitës që deklaroi se heshtja e kryeministrit dëshmon mbështetje dhe përfshirje në këto afera të dyshimta, shefi i ekzekutivit i kërkoi prokurorisë të jetë e paanshme dhe e pavarur në hetimin e këtyre çështjeve të rëndësishme.
Ai kërkoi nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive që të nisë hetimet lidhur me mosdeklarimin e pasurive, dhe të përmbushë detyrimin ligjor.
Duke i vlerësuar si shumë të vërteta denoncimet me fakte të të përditshmeve shqiptare, për çështjen më të fundit ku inkriminohet edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, të cilës socialistët i kanë madje edhe të japë dorëheqjen, kryeministri Berisha theksoi se qeveria është e gatshme të mbështesë të vërtetën, dhe se do të mbështesë edhe çdo nismë të marrë për të nxjerrë në dritën e diellit këto afera korruptive.
Në këtë kontekst shefi i qeverisë, tha se “Ju garantoj se do të mbështes çdo hetim jashtë çdo imuniteti dhe uroj që të njëjtin vullnet të dëshmojë edhe pala tjetër, opozita, pasi respektimi i ligjit dhe kushtetuta janë parësore”.
Kryeministri Berisha iu përgjigj në këtë mënyrë akuzave më të fundit, që erdhën nga opozita, e cila duke u bazuar në investigimet e gazetave hodhi në dritë dyshimet për lidhje me organizatën kriminale, të familjarëve të ministres së Integrimit, Majlinda Bregu.
Sipas të dhënave, kunati i ministres, Bregu, Ergys Gjeçaj, bashkëshorti i të motrës, së Bregut, Ornela Bregut ishte aksionet në një biznes me Angelo Prudentinon, të birin e njërit prej krerëve të organizatës pulieze, “Sacra Corona Unita”, Albino Prudentinos, i kapur para pak ditësh në Vlorë.
Lidhur me ngjarjen, opozita ka kërkuar që ministrja Majlinda Bregu, apo siç e quajnë socialistët, mbesa e kryeministrit të largohet nga qeveria, pasi ajo tashmë është turpi i kësaj qeverie, kanë theksuar socialistët.
i.t/NOA