Tiranë, 4 tetor, NOA – Gjatë vizitës së sotme në zyrat e aplikimit për pasaporta biometrike kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve të aplikojnë sa më shpejt për të marrë pasaportën biometrike.
Sipas kreut të qeverisë kjo është një domosdoshmëri për procesin e heqjes së vizave me BE-në.
Kryeministri ka vlerësuar dokumentet biometrike duke i cilësuar ato si më modernet dhe të sigurtat, që çdo shqiptari do t’i hyjnë në punë gjatë rrugëtimit të lirë nëpër vendet e BE-së, edhe kur të liberalizohen vizat me Shqipërinë.
Shefi i ekzekutivit duke përshëndetur aplikuesin e njëmiliontë të pasaportave biometrike, tha se procesi i pajisjes me pasaporta biometrike po ecën mjaft mirë.
Këtë proces e kanë vlerësuar si të suksesshëm edhe vetë prodhuesit e këtyre pasaportave, kompania “Sagem”, që ka vlerësuar për ecurinë e mirë të këtij procesi edhe bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë.
i.t/NOA