Nga Dr. Edmond Stojku*
Pleqëria është mosha e përbashkët e çdo njeriu – pavarësisht moshës. Ajo është porta e përbashkët e çdo gjenerate dhe destinacioni kolektiv i çdo shoqërie. Për këtë arsye ajo është më shumë sesa një e ardhme e afërt për një popull që mendon. Ajo është e ardhmja e tij.
Nëse një komb le të leckosur dhe të nëpërkëmbur moshën e tretë, e tillë do të jetë edhe e ardhmja e njerëzve të rinj të atij vendi. Ata do të jenë viktimë e të njëjtës frymë trajtimi dhe me thënë të vërtetën e meritojnë këtë.
Në historinë e re të botës, Kombet e mira janë dalluar jo aq prej gjallërisë sociale dhe rekordeve të tyre historike, sesa prej aftësisë së urtë për të respektuar prurjen mentare të breznive të mëparshme dhe prej gatishmërisë për të balancuar qysh herët nevojat e ditës me ato perspektive.
E thënë thjesht, nëse një shoqëri nuk jeton në dy dimensione njëherësh, ajo nuk ka shans të jetojë gjatë. Ajo është një grup individësh, por kurrë një shoqëri homogjene me vizion të përbashkët.
Me rastin e Javës Botërore të Moshës së Tretë unë mendoj se shqiptarët kanë shumë se çfarë të mendojnë e të përmirësojnë në këtë drejtim.
Në këtë vend gati një e treta e popullsisë jeton në emigracion dhe në numër të konsiderueshëm, të moshuarit kanë vendosur të qëndrojnë në Shqipëri – vetëm dhe krah për krah me të afërm të tjerë vërsnikë.
Në këtë vend, ka 500 mijë pensionistë që gjithsesi ballafaqohen me një sistem të dobët pensionesh, me një histori mjekësore personale të rënduar falë ushqimit të dobët, punës së rëndë për dekada dhe jetës së marrë peng në një luftë ideologjike pa adresë. Sot këta njerëz marrin pensione që mezi mjaftojnë për bukë dhe assesi për ilaçe, shërbime ndihmëse, etj.
Kultura e banimit veçmas drejt familjesh të ndara ka prodhuar njëkohësisht një numër të madh familjesh të vogla të moshuara që kanë nevojë për ndihmë, qoftë edhe për të bërë një pazar.
Vendi gradualisht po rrëshqet drejt një kulture të re individualizmi, ku fqinjët jetojnë gjithnjë e më larg njëri tjetrit dhe ku koha është bërë vërtet e çmuar për shumë njerëz.
Përballë kësaj panorame, të presësh që individë të harxhojnë kohën duke kujdesur pleq të veçuar, është pak e tepërt. Ndoshta këtë mund ta bëjnë disa shoqata, por në vend shoqatat që merren me moshën e tretë janë më pak se gishtat e njërës dorë.
Shqiptarët, të cilët kur shkelën në Greqi, si punë të parë për gratë patën shërbimin për të moshuarit nëpër shtëpitë e vendasve, nuk e vërejnë se janë sot në të njëjtin stad – përveçse shumë më të varfër se grekërit e vitit 1990.
Për këtë arsye Unioni Shqiptar për Cilësinë e Jetës vendosi që të fokusohet këto ditë në problemet që përfshijnë moshën e tretë dhe gjeti për këtë edhe mbështetjen e sektorit privat përmes donacionit të Japan Tobacco International (JTI).
Por Java Botërore e Moshës së Tretë nuk mjafton për t’i zgjidhur problemet e kësaj moshe botërore.
Së pari qytetarët mundet të jenë promotorët e parë dhe të heshtur të një aksioni civil, që duhet të përfshijë me gjerësisht dhe më denjësisht sektorin publik dhe atë privat.
Së dyti, qeveria ka ende shumë hapësira për të krijuar në mënyrë që sektori privat të mund të jetë më mendjehapur dhe më i motivuar për t’u angazhuar në nisma sociale me dobi konkrete. Krijimi i lehtësirave fiskale për fonde që përdoren për të realizuar në terren fushata dhe donacione konkrete mbetet një përparësi e ministrisë së financave. Rishikimi i ligjit që favorizon fushatat e përgjegjësisë sociale dhe që nxit kompanitë e mesme shqiptare që të adoptojnë shprehitë e korporatave ndërkombëtare – siç është rasti i JTI- është padyshim një hap i domosdoshëm që do të rrisë shanset e ndihmës për grupet në nevojë, do të zbusë kostot e shtetit në përballimin e krizave sociale – rajonale apo kombëtare, do të rrisë më mirë kapacitetet e shoqërisë civile që të angazhohet në këto lloj nismash, duke dalë nga shtrati i tryezë-thirrësve që japin mend e nuk bëjnë dot asgjë konkrete.
Përvoja e parë e Unionit Shqiptar për Cilësinë e Jetës në realizimin e përgjegjësive sociale – në përgjigje të nevojave kombëtare, me mbështetjen e sektorit privat (JTI) rezultoi me sukses.
Ky sukses meriton vëmendje dhe përgjegjësi në politikë-bërje, në mënyrë që t’u përkasë të gjithëve. Sa më parë.
* President i ALQU, Unioni Shqiptar për Cilësinë e Jetës