Tiranë, 4 tetor, NOA –Pavarësia e Kosovës, paraqet një rëndësi të madhe si një kontribut paqeje dhe stabiliteti jo vetëm për Evropën Juglindore, por edhe më gjerë.
Kjo ka qenë ideja e përbashkët që ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto dhe ambasadorja e Egjiptit në Tiranë, Amina Imam Gomaa, kanë ndarë së bashku gjatë një takimi të zhvilluar mes tyre ditën e sotme.
Gjatë tij, mësohet se kryediplomati Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis dy vendeve në drejtim të bashkëpunimit politik, ekonomik, kulturor, shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë etj.
Në kuadër të bashkëpunimit ekonomik, ai nënvizoi vullnetin e palës shqiptare për nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe që janë në proces.
Për këtë, ai kërkoi mbledhjen sa më të shpejtë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik.
Gjithashtu, ai falenderoi qeverinë egjiptiane për kontributin e saj në drejtim të trajnimit të administratës shtetërore shqiptare, nëpërmjet kurseve të ofruara nga Fondi Egjiptian për Bashkëpunimin Teknik.
Nga ana e saj, ambasadorja Gomma shprehu vullnetin e qeverisë egjiptiane për forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në fusha me interes të ndërsjellë.
n.e/NOA