Tiranë, 4 Tetor 2010 NOA - Prokurorja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, Znj. Ina Rama zhvilloi sot një takim me Presidenten e Gjykatës së Lartë të Malit të Zi, Znj. Vesna Medenica.
Gjatë takimit, Rama bëri një pasqyrë të punës së Prokurorisë në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, krimit ndërkufitar, trafiqeve të të gjitha llojeve e pastrimit të parave, të sigurimit të kufijve si dhe rolin e prokurorisë në zbatim të këtyre angazhimeve.
Një vëmendje e madhe gjatë takimit iu kushtua çështjes së krimit të organizuar dhe trafiqeve, për vetë faktin se Shqipëria dhe Mali i Zi janë vende fqinje dhe objekti i drejtësisë ndaj këtyre fenomeneve të krimit është i ngjashëm në të dy anët e kufirit. Në këtë kuadër, të dyja palët, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm midis institucioneve të drejtësisë së të dyja vendeve, theksuan rritjen e angazhimit të mëtejshëm, shkëmbimin e informacioneve dhe bashkërendimin më të gjerë në punën e tyre.
Znj, Vedenica, e cila përpara postit të Presidentes së Gjykatës së Lartë, ka patur detyrën e Kryeprokurores së Përgjithshme të Malit të Zi, u shpreh se e njeh problematikën e punës së organeve të drejtësisë ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve, dhe u angazhua që të japë kontributin e saj në rritjen e bashkëpunimit për një efikasitet më të madh të luftës ndaj këtyre fenomeneve.
Në takim mori pjesë gjithashtu edhe Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, Shpresa Beçaj.
e.r/NOA