English

Ministri i Ekonomisë: Integrimi, politika kryesore e dikasterit

Tiranë, 4 tetor, NOA Update – Me ardhjen në detyrë në krye të dikasterit të Ekonomisë, ministri i ri Ilir Meta, ka vendosur të kryejë disa ndryshime në punën dhe funksionimin e saj, të cilat i ka bërë me dije sot për gazetarët.

Kështu, sipas tij, zv/ministri Eno Bozdo do të mbulojë reformën rregullatore dhe klimën e biznesit; politikat tregtare; integrimin europian; bashkëpunimin ekonomik me jashtë dhe infrastrukturën e cilësisë.

Ndërsa zv/ministri Sokol Dervishaj do të mbulojë problemet e energjisë, si dhe çështjet e privatizimit e pas tij, zv/ministri Neritan Alibali do të mbulojë sektorin minerar, politikat industriale, zonat ekonomike dhe parqet industriale.

“Lidhur me prioritetet tona dhe këtij ekipi, pa asnjë diskutim që përgatitja për të hedhur hapa të tjerë në drejtim të procesit të integrimit europian mbetet prioriteti më madhor. Përgjegjësitë e kësaj ministrie dhe institucioneve të varësisë së saj kanë qenë të jashtëzakonshme, si rrallë të ndonjë ministrie apo institucioni tjetër, dhe natyrisht tashmë mbetet prioritet kryesor përgatitja e të gjithë stafit përkatës lidhur me momentin kur do të duhet të negociohet për kapitujt e Pyetësorit të Komisionit Evropian, e në veçanti për të gjithë ato kapituj që kanë të bëjnë me tregun e brendshëm dhe të gjithë çështjet që mbulon kjo ministri”, bëri me dije Meta.

Duke shtuar ndër të tjera, përfundimi i reformës rregullatore, ku janë hedhur hapa shumë të rëndësishëm, sikurse është tashmë funksionimi i QKR-së, funksionimi i i Qendrës Kombëtare të Licencimit, dhe prioriteti më i shpejtë është përmbyllja e reformës së inspektoriateve, e cila do të jetë një hap tjetër i rëndësishëm dhe do të jetë shtylla e tretë dhe shumë e rëndësishme e gjithë kësaj reforme, që jam i bindur se do të ketë një impakt shumë të rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve me biznesin.

“Natyrisht ndjekja e gjithë politikave tregtare, sidomos zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, pjesa tregtare dhe CEFTA-s, përmbushja e detyrimeve tona ndaj Organizatës Botërore të Tregtisë, liberalizimi i mëtejshëm i tregtisë dhe lufta kundër çdo monopoli të mbetur, për arsye edhe objektive, do të jetë një prioritet madhor, dhe e gjithë kjo për të realizuar integrimin e plotë tregtar të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha në fund ai.

n.e/NOA

KOMENTE