English

Ministri i Ekonomisë, Meta: Do të rishikohet strategjia e energjisë

Tiranë, 4 tetor, NOA Update – Ministria e Ekonomisë do t’i kushtojë një rëndësi të veçantë rishikimit të strategjisë kombëtare të energjisë, për të cilën është bërë një punë e rëndësishme paraprake.

Kështu ka bërë me dije ministri i Ekonomisë, Ilir Meta, para gazetarëve, duke pohuar se kjo strategji do t’i nënshtrohet një debati shumë më të gjerë me specialistë të kësaj fushe, me përfaqësues kompetentë.

Nga ana tjetër, ai shtoi faktin se sa rëndësi madhore që ka për vendin tonë integrimi i Shqipërisë në rrjetet rajonale të gazit.

“Për këtë puna ka nisur prej kohësh, por ne do të investojmë të gjitha energjitë dhe angazhimin tonë, në mënyrë që Shqipëria të mos jetë më e izoluar, por përkundrazi, të jetë jo vetëm një përfitues e drejtpërdrejtë por dhe një vend i rëndësishëm tranziti në këtë drejtim”, tha ai.

Duke shtuar se po kështu, kompletimi i kuadrit ligjor për sektorin e gazit është një prioritet i rëndësishëm për ne.

“Dua të nënvizoj diçka përveç prioriteteve në sektorin minerar dhe politikat industriale, ku aktualisht po punohet me ritëm të lartë nën drejtimin e z. Alibali për të përfunduar 29 akte nënligjore që do të bëjnë të mundur zbatimin e plotë të ligjit të ri minerar, për të rritur jo vetëm transparencën dhe për të evituar dhe luftuar çdo praktikë abuzive, duke krijuar një mjedis sa më nxitës për investimet private të biznesve shqiptare, por edhe atyre të huaja”, theksoi Meta.

Duke përfunduar se i rëndësishëm është fakti që të gjitha këto politika zhvilluese, modernizuese, nxitëse, të kenë si një parakusht të domosdoshëm mbrojtjen e mjedisit, ruajtjen e tij, pasi nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm pa theksuar fort këtë element kyç që ka të bëjë me të ardhmen e vet, që ka të bëjë jo vetëm me të ardhmen dhe perspektivën e turizmit, ku Shqipëria synon të jetë një konkuruese e denjë në një treg shumë konkurrues si ky i Mesdheut, por ka të bëjë dhe me shëndetin e qytetarëve dhe të komunitetit.

n.e/NOA

KOMENTE