Tiranë, 4 tetor, NOA – Partia Demokratike i ka kërkuar rishtas deputetit socialist Ilir Beqja të japë dorëheqjen pasi ka shkelur kushtetutën e vendit, duke përfituar përmes mandatit të deputetit një fond publik prej 240 milionë lekësh për biznesin ku ai është aksioner.
“Zoti Beqja! Keni shkelur Kushtetutën e Shqipërisë, përkatësisht nenin 70, pika 3, i cili në mënyrë eksplicite parasheh se “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor”, deklaroi në një konferencë për shtyp, deputetja demokrate, Mesila Doda.
Zonja Doda e akuzoi deputetin beqja se ka mashtruar opinionin publik, kur justifikoi veprimin e tij antikushteutes duke thënë se nuk kishte përftuar fonde, pasi ishte betuar si deputet.
Deputetja Doda i rikujtoi deputetit socialist se ai kishte marrë 240 milion nga paratë e taksapaguesve, 94 prej të cilave, një ditë pas daljes nga greva e urisë, ndërsa betimin e deputetit e kish bërë tre muaj më parë.
Deputetja demokrate e cilësoi si papërgjegjshmëri faktin se përtej fakteve të publikuara ndaj tij nga PD, zoti Beqja nuk ka bërë ende një reagim serioz, por vetëm është justifikuar, justifikime që sipas zonjës Doda nuk qëndrojnë as juridikisht e as moralisht.
Andaj ajo i përsëriti kërkesën për dorëheqje të menjëhershme deputetit socialist duke i thënë se kjo është e vetmja rrugë që i mbetet, duke e siguruar se nga “Nga procedurat kushtetuese për heqjen e mandatit nuk ju shpëton dot askush, as mister 20%, të cilin ju e mbroni me një pasion të pazakontë, as kasta e vjetër e xhaketave të kuqe, të cilëve ju i përkisni. Në këtë vend ka Kushtetutë dhe ligj, dhe kjo është koha e respektit ndaj principeve kushtetuese dhe shtetit ligjor”, përfundoi apelin e saj drejtuar deputetit socialist, Ilir Beqja, kundërshtarja e tij politike, Mesila Doda.
i.t/NOA