English

PD: Xhafaj duhet të përgjigjet për akuzat

Tiranë, 4 tetor, NOA - Deputeti i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli i ka bërë thirrje deputetit socialist, Fatmir Xhafaj të përgjigjet për akuzat që mazhoranca i drejtoi atij një ditë më parë, se i vëllai i tij kishte lidhje me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, për të cilat ishte burgosur edhe në Itali.

Duke iu referuar pyetjeve të drejtuara një ditë më parë, deputeti Kadilli i tërhoqi vëmendjen deputetit socialist, që të përgjigjet dhe jo të heshtë.

“Është në detyrimin minimal të çdo politikani në botë, që të sqarojë të paktën zgjedhësit e vet për raportet e familjes së tij dhe të njerëzve të vet të afërt me botën e krimit dhe të korrupsionit. Zoti Xhafa nuk e ka bërë këtë gjë gjatë fushatave elektorale, por ai nuk e po e bën këtë as tani”, theksoi zoti Kadilli.

Duke i cilësuar si shumë të rënda akuzat në adresë të Xhafaj, deputeti demokrat i bëri rishtas thirrje deputetit Fatmir Xhafaj që të sqarojë opinionin publik, nëse vëllai i tij ka qenë i burgosur për trafiqet në vendet e Bashkimit Europian dhe nëse është përpjekur ai për ta liruar, në kohën kur ishte ministër i Drejtësisë.

“Si një ndër eksponentët kryesorë të Partisë Socialiste dhe një ndër mbështetësit më të flaktë të zotërisë 20 përqind, zoti Xhafaj duhet të përgjigjet. Dhe në rast se ai nuk do ta bëjë këtë, ne nuk do të rreshtim së përsërituri pyetjet e rënda dhe nuk do të lodhemi së kërkuari zbardhjen e së vërtetës”, tha deputeti demokrat, Fatbardh Kadilli.

i.t/NOA

KOMENTE