Tiranë, 4 tetor, NOA –Spanja kontribuon në krijimin e Qendrës së Dokumentacionit Gjyqësor të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Shqipërisë, e cila lind si nevojë për të lehtësuar punën e gjykatësve dhe specialistëve te tjerë të fushës, duke iu lejuar aksesin dhe kërkimin e drejtpërdrejtë në jurisprudencën ekzistuese.
Brenda projektit “Mbështetje për forcimin e Sistemit Gjyqësor në Shqipëri”, financuar nga Spanja nëpërmjet agjencisë Spanjolle të Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (AECID), nesër do të zhvillohet ceremonia e prezantimit të Qendrës së Dokumentacionit Gjyqësor.
Në këtë akt, do të marrin pjesë Presidenti i Republikës, ambasadori i Spanjës në Shqipëri, dhe Zv/Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu.
Qendra e Dokumentacionit Gjyqësor krijohet me objektivin e dyfishtë që të shërbejë si mjet i domosdoshëm për punën e Gjyqtarëve dhe Gjykatave shqiptare, duke i lejuar hyrjen dhe kërkimin e drejtpërdrejtë në jurisprudencën ekzistuese, duke ju lehtësuar punën e përditshme.
Nga ana tjetër, lind me dëshirën për të mbështetur hapjen e botës së gjyqësorit për shoqërinë shqiptare, duke bërë të njohur për qytetarët në përgjithësi kriteret e këtyre Gjykatave.
Në kuadër të projektit spanjoll janë forcuar kapacitetet e Qendrës së Dokumentacionit nëpërmjet asistencës teknike nga specialistë spanjollë, është kompletuar infrastruktura teknike si dhe është vënë në punë një sistem përmbledhje i vendimeve gjyqësore.
Realizimi i këtij projekti i përgjigjet objektivit strategjik të Kooperacionit Spanjoll në kontribuimin për konsolidimin e Shtetit të të Drejtës në Shqipëri, dhe më konkretisht në forcimin e sistemit gjyqësor nëpërmjet vënies në punë të mjeteve si Qendra e Dokumentacionit që lejon përmirësimin e efikasitetit të sistemit.
n.e/NOA